SHBA: Krimet në Banjskë duhet të ndëshkohen, përdorimi i forcës për të arritur te zgjidhja të përjashtohet

dihmëssekretari amerikan i Shtetit, James O’Brien, tha në fundjavë se Serbia ka premtuar se Millan Radoiçiq do të përballet me ligjin lidhur me ngjarjet e shtatorit në Banjskë të Zveçanit.

Radoiçiq ka marrë përgjegjësinë për sulmin e armatosur ndaj Policisë së Kosovës, ku u vra zyrtari policor Afrim Bunjaku.

Zyrtari amerikan gjatë forumit të Dubrovnikut tha se pret që Serbia të mbajë premtimin.

“SHBA-ja dhe BE-ja në mënyrë të vazhdueshme kanë thënë se krimet e kryera në shtator [në Banjskë] duhet të ndëshkohen. Ne presim dhe besoj se na është premtuar se zoti Radoiçiq do të kalojë nëpër një proces të plotë të ligjor në Serbi. Është gjë e mirë që duket se nuk është aktiv në veri të Kosovës, siç ka qenë më herët, shohim se nga kjo ka përfitime pozitive. Ndaj tij është ngritur akuzë dhe presim që procesi ndaj tij të përfundojë”, tha O’Brien.

Serbia e akuzon Radoiçiqin për blerje të armëve, municioneve dhe mjeteve shpërthyese me fuqi të madhe shkatërruese nga Tuzlla në Bosnje dhe Hercegovinë, nga janari 2023 deri më 24 shtator. Atij, autoritetet ia kanë ndaluar ardhjen në Kosovë.

Autoritetet në Kosovë e vlerësojnë si akt agresioni sulmin në Banjskë dhe kanë fajësuar Serbinë se ka gisht në të. Beogradi ka mohuar përfshirjen.