Shërbimi Korrektues i Danimarkës vizitoi burgun në Gjilan, gjeti myk e ujë të papijshëm

Të enjten, Kuvendi i Kosovës ratifikoi marrëveshjen që u nënshkrua në vititn 2022, për t’ia dhënë me qira Danimarkës burgun e Gjilanit, në të cilin pritet të vuajnë dënimin rreth 300 të burgosur danezë.

Sipas Traktatit, Danimarka nuk do të dërgojë në Kosovë të burgosur të dënuar për akte terroriste, krime lufte dhe të burgosur me çrregullime të rënda mendore të diagnostikuara që kërkojnë kujdes mjekësor jashtë burgut.

Ky vendim i Danimarkës shkaktoi reagime dhe kundërshtime nga një sërë organizatash për të drejtat e njeriut dhe ekspertë juridikë, të cilët mendojnë se në Kosovë nuk është e mundur të respektohen dhe zbatohen ligjet siç zbatohen në Danimarkë.

Si një nga arsyet për të kundërshtuar dërgimin e të burgosurve nga Danimarka në Kosovë, organizatat nga Danimarka dhe bota deklarojnë se Kosova nuk është anëtare e OKB-së dhe Këshillit të Evropës dhe për këtë arsye nuk është e obliguar me të drejtën ndërkombëtare sipas Konventës së OKB-së.

Tutje, siç shkruan Al Jazeera, para nënshkrimit të kontratës, Shërbimi Korrektues Danez vizitoi burgun në Gjilan dhe zbuloi se, ndër të tjera, ka myk, se uji i pijshëm mban aq shumë erë klori sa që shumica e të burgosurve pinë ujë në shishe dhe se burgu në përgjithësi tregon shenjat e mungesës së mirëmbajtjes.

Sipas Shërbimit Penal, është parakusht që ndër të tjera të krijohen kuzhina ku të burgosurit mund të gatuajnë dhe ndërtesa për pushim dhe punë, në mënyrë që kushtet të jenë më të ngjashme me burgjet daneze. Prandaj, burgu duhet t’i nënshtrohet një rinovimi të gjerë përpara se të jetë gati për të strehuar të burgosurit danezë, transmeton Klankosova.

Komiteti i OKB-së kundër Torturës (CAT) në dhjetor të vitit të kaluar vlerësoi planet e qeverisë daneze për transferimin e 300 të burgosurve, duke publikuar edhe një raport me anë të cilit pasqyron shqetësimet e komitetit për shkeljet e mundshme të të drejtave të njeriut dhe këshillon qeverinë daneze të anulojë planet e saj.