Shkëmbimi i pronave: Përparim Rama “shfajëson” veten, ia gjuan “topin” tri ministrive

Rreth çështjes aktuale së këmbimit të tokës në Komunën e Prishtinës ka folur sot në seancën e jashtëzakonshme, i pari i kryeqytetit, Përparim Rama.

Në fjalimin e tij ai ka theksuar se ky proces ka ardhur si rrjedhojë e disa vendimeve tjera nga Ministria e Ambientit, Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Pushtetit Lokal dhe trashëguar tek ai prej kryetarit paraprak, shkruan lajmi.net.

“Nuk janë një apo dy zyrtarë, por janë pesë zyrtarë të njëjtë që kanë nënshkru ligjshmërinë e këtij vendimi, përfshirë ministrin e MAPL dhe më pas që të pestit e tërheqin ligjshmërinë e tij, përfshirë edhe ministrin”, tha ai.

E rreth dhënies së 20 hektarëve të kryeqytetit për tetë hektarë në Badoc, u theksua se tetë hektarët do të shkëmbeheshin me pjesë të parcelës 20 hektarëshe, dhe se sa do jetë, 50 ari, 2 hektarë apo më shumë, kjo nuk do të përcaktohet nga Rama as nga Komuna, por do të varet nga Ministria e Financave, sipas të parit të kryeqytetit.

“Vendimi i Asamblesë së Kryeqytetit e thotë qartë se prona 8 hektarëshë këmbehet me PJESË të parcelës 20 hektarëshe, e përsëris me PJESË TË PARCELËS, JO ME KREJT PARCELËN”, tha Përparim Rana.

Rreth pyetjes se si ka reaguar ndaj kërkimit për hetim nga prokuroria, Rama ka thënë se po, janë pajtuar për një hetim të tillë, por jo vetëm në Komunë, por edhe në Ministritë të përfshira në vendim.

Njoftimi i plotë:

Të dashur qytetarë,
Të nderuar Asambleistë,
Kolegë të dashur, përfaqësues të medieve,

Pse jemi sot këtu?

Sot jemi këtu me një kërkesë tuajen me shfuqizu një vendim të miratuar nga ky Kuvend.  Ky vendim ka rrjedh nga një proces i cili ka fillu nga qeverisja e kaluar, pra jo nga Përparim Rama. Për më tepër, ky proces ka rrjedh nga një numër i vendimeve të nivelit qendror, pra Ministrisë së Ambientit, Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Pushtetit Lokal.

Nga momenti që qeverisja jonë ka vazhdu këtë proces, janë ndjek të gjitha procedurat e parapara ligjore. Pra, për këtë çështje, janë dërgu pikat e rendit të ditës me kohë, përfshi këtë pikë për këmbim, NUK KA REAGU ASKUSH; është diskutu në KPF, NUK KA REAGU ASKUSH; është miratu në këtë Kuvend, NUK KA REAGU ASKUSH.

KANË kalu disa javë, ASNJË FJALË NUK E KA THANË AS VETËVENDOSJE AS PDK, PRA ASKUSH.

Pas një shkrimi të pavërtetë dhe tendencioz, ju e politizuat dhe e personalizuat këtë çështje.

Si pasojë e shkrimeve spekulative, të njëjtit zyrtarë në Ministri të Pushtetit Lokal që kanë miratu ligjshmërinë, të njejtit e tërheqin ATË. Pa ASNJË ARGUMENT SHTESË, PA ASNJË FAKT SHTESË. Nuk janë NJË apo DY ZYRTARË, por janë PESË ZYRTARË TË NJEJTË QË KANË NËNSHKRU LIGJSHMËRINË E KËTIJ VENDIMI, përfshirë MINISTRIN E MAPL DHE MË PAS që të PESTIT E TËRHEQIN LIGJSHMËRINË E TIJ, përfshirë edhe ministrin.

Ministria e Financave thotë se pas informatave nga mediat PO SUSPENDOJMË VLERËSIMIN E PRONAVE. Do të thotë, as fakte nga prokuroria, as nga policia, as ndonjë dëshmi tjetër të kërkuar nga Komuna, POR THOTË PAS RAPORTIMEVE NGA MEDIAT. Do të thotë një proces të cilin Ministria është e obliguar me ligj ta zbatojë, sikur i ka zbatuar me qindra vendime deri sot, thotë po e SUSPENDOJË, në bazë të spekulimeve në media. Njëkohësisht, me këtë, vepron në kundërshtim edhe me Vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2023.

Për hir të korrektësisë po i përsëris edhe një herë të gjitha të pavërtetat që janë thënë për këtë process:

Është raportu se: Kryeqyteti i ka dhanë 20 hektarë për 8 hektarë. Nuk është e vërtetë. Vendimi i Asamblesë së Kryeqytetit e thotë qartë se prona 8 hektarëshë këmbehet me PJESË  të parcelës 20 hektarëshe, e përsëris me PJESË TË PARCELËS, JO ME KREJT PARCELËN. SA TOKË DO TË KËMBEHET, 10 ari, 50 ari, 2 hektarë apo 5 hektarë, NUK E PËRCAKTON KRYEQYTETI E AS PËRPARIM RAMA, por e PËRCAKTON Ministria e Financave.

Është thënë se Përparim Rama dhe qeverisja aktuale e kanë nisë këtë proces. PRAPË E PAVËRTETË. SI rezultat i VLERËSIMIT NGA MINISTRIA E FINANCAVE NË MAJ TË VITIT 2022, PALËS JU KA KËMBY VETËM NJË PJESË E PARCELËS DHE I KA MBET EDHE NJË PJESË TJETËR ME U KËMBY. RRJEDHIMISHT, pala ka bë KËRKESË PËR VAZHDIM TË PROCEDURËS, po e përsëris, VAZHDIM TË PROCEDURËS, jo fillim TË PROCEDURËS. Madje, pala ka akuzu Kryeqytetin për neglizhencë në vazhdim të këtij procesi. Ju lutem ta shihni procesverbalin zyrtar.

Janë ngrit pyetje se çfarë interesi ka Kryeqyteti me marrë një tokë te LIQENI, cili është interesi publik i Kryeqytetit me marrë atë tokë?
Përparim Rama, nuk ka DEKLARU ATË TOKË ME INTERES PUBLIK, por MINISTRIA E MJEDISIT me një vendim të vitit 2020 i cili përcakton tokat rreth LIQENIT të mbrojtura, dhe OBLIGON, PRA, po e përsëris OBLIGON organet komunale me bo Këmbimin. Kuvendi Komunal në vitin 2021 ka konfirmu vendimin e Ministrisë së Mjedisit rreth interesit publik të asaj toke. JO UNË !

Keni kërku hetim nga prokuroria. Unë i kam thënë PO, janë të mirëseardhur, jo vetëm në institucion të Kryeqytetit, por të ZGJEROHET edhe në Ministri të Pushtetit Lokal edhe në Ministri të Financave. Unë edhe kam kërku publikisht zgjerim të hetimeve në të gjitha nivelet. Prandaj, edhe sot, nga kjo foltore, e ftoj Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, të zgjerojë hetimet edhe në MAPl dhe në Ministri të Financave dhe t’i shkoj deri në fund këtij procesi.

Edhe njëherë po deklarojmë si qeverisje, se NE kemi vepru në çdo moment të këtij procesi në përputhje me ligjin dhe manualin e Ministrisë së Pushtetit Lokal për këmbim të pronave. Ju lutem, ju e dini saktë çka thotë Manuali për këmbim të pronave.

Prandaj, sot vendim marrja është në dorën tuaj si organ kompetent, secilin vendim qe do ta merrni mund të ketë pasoja në të ardhmën. Unë si kryetar i Kryeqytetit, ashtu siç me obligon ligji, jam i obliguar që t’i zbatoj vendimet e Kuvendit të Kryeqytetit. Mirëpo, PËRGJEGJËSIA DHE PASOJAT E MUNDSHME JANË TUAJAT.