Shoqëria civile, Qeverisë: Të hapet urgjentisht dialogu me minatorët e Trepçës

Një numër i organizatave joqeveritare kanë kritikuar qasjen e Qeverisë së Kosovës ndaj minatorëve dhe mospjesëmarrjen e ministres Artane Rizvanolli në raportimin e Komisionit për Ekonomi, Ndërmarrësi dhe Tregti.

Instituti për Politika Sociale Musine Kokalari, Qendra për Informim, Kritikë dhe Aksion – QIKA, Instituti Cilësor për Hulumtime Analiza dhe Trajnime – iCHAT, OJQ Gruaja Hyjnore dhe Instituti për Aksion Afirmativ  kanë shkruar se “qeveria do të duhej të dilte hapur në mbështetje të kërkesave të punëtorëve dhe të kritikonte menaxhmentin”.

“Sjellja e kësaj qeverie ndaj punëtorëve sindikalistë ka qenë brutale dhe e papranueshme, duke filluar me qasjen ndaj grevës së sindikatës së punëtorëve të arsimit më herët dhe duke vazhduar me mungesën e dialogut me minatorët e Trepçës tash. Kjo qasje dëmton rëndë përpjekjet e punëtorëve për të marrë atë që ju takon dhe dëmton sindikalizmin në mënyrë afatgjate”, përfundon komunikata duke i bërë thirrje menaxhmentit të ndërmarrjes dhe Qeverisë që të hapin urgjentisht dialogun me grevistët dhe të shohin sa më parë mundësitë që të bëhet kompromis në drejtim të zgjidhjes së problemeve dhe kërkesave të punëtorëve.

Sipas tyre,  minatorët janë duke bërë grevë për kërkesa të thjeshta – marrja e pagës me kohë, kushte më të mira pune dhe llogaridhënie nga menaxhmenti i ndërmarrjes.

“Këto kërkesa janë elementare në procesin e punës së punëtorëve dhe të ndërmarrjes dhe ato do të duhej të plotësoheshin pa pasur nevojë për grevë. Jo vetëm që kjo nuk ka ndodhur, por menaxhmenti ka vendosur të sulmojë grevistët duke suspenduar nga puna pesë minatorë që janë në grevë”, shtohet tutje në komunikatë.