“Shumë modeste”, Gërvalla e mbron rrogën 7 mijë e 500 euro të Gani Jakupit

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donik Gërvalla, ka mbrojtur “super” këshilltarin e MPJD-së, Gani Jakupi, i cili është angazhua për lobim me një pagë prej 7 mijë e 500 euro në muaj.

Gjatë raportimit në Komisionin për Punë të Jashtme, ajo ka thënë se paga e tij është modeste.

“Lehtë është ta angazhosh një kompani që kushton 4 milionë, por vështirë është r të gjesh personalitete të rëndësishme kulturore dhe publike të vendeve të ndryshme të cilët me një shumë modeste, e cila pothuajse nuk i tejkalon shpenzimet që Republika e e Kosovës i ka për një diplomat në vendin pritës.” – ka thënë ajo.

Ajo ka thënë se nuk është këshilltar i saj.

“Me këtë shumë modeste që nuk është pagë mujore është shumë modeste për gjithë lobimin që bënë. Ai nuk është këshilltar i imi, ai ka një kontratë. Më vjen keq që Gani Jakupi përballet me një fushat të tillë”, ka thënë ajo.

“Kursejini njerëzit e tjerë, sepse do të na duhen në të ardhmen. Fushata që bëhet për të sulmuar gjithë kënd që guxon të bashkëpunojë me institucionet e Kosovës, ballafaqimi me fushatat e ashpra mediale, nuk na ndihmon në të ardhmen, sepse i largon njerëzit. Sepse nuk i ka asnjë borxh këtij vendi Gani Jakupi. Asnjë borxh nuk i ka, është dëshira e tij, është vullneti i tij, janë kontaktet e tij, është përkushtimi i tij, lidhja e tij me këtë vend, e cila e bën që sot ende të mos e ketë prishur kontratën, edhe pse ai ballafaqohet me një situatë të tillë. Prandaj ju lus për më shumë dinjitet, ju lus për më shumë kujdes kur flisni në raport me personalitete të shquara të jetës publike dhe kulturore, sepse nuk është fer sulmin ndaj qeverisë ta kanalizoni përmes medieve familjare.” – deklaroi ajo, transmeton Nacionale.

Ajo e falënderoi sërish në fund Jakupin, këshilltarin me rrogë të majme.

“Edhe një herë, e falenderoj këtu publikisht zotin Gani Jakupin për punën që ka bërë në kuadër të kësaj kontrate deri tani dhe ju siguroj, ju garantoj me fjalën time, që rezultatet nga qershori i këtij viti deri sot, vetëm kaq sa zoti Gani Jakupi ka bërë në kuadër të kësaj kontrate, është shumëfish më tepër sesa miliona eurot që janë shpenzuar për lobim personash dhe lobim çështjesh, siç e përmendët ju shkëbimi i territoreve.” – shtoi ajo.