Si ndodhi që vetura të hyjë brenda barnatores në Rahovec? – Policia sqaron rastin

Një makinë është përplasur mbrëmë në një barnatore në qytetin e Rahovecit.

Policia ka informuar se në makinë, nuk ishte asnjë person, në momentin e aksidentit.

Sipas sqarimit, vetura ishte nisur nga vendparkimi drejt barnatores, sepse nuk ishte frenuar në mënyrë adekuate kur ishte parkuar.

Policia e Kosovës ka njoftuar se përveç dëmeve materiale, nuk ka asnjë të lënduar.

“Dje rreth orës 19:00 një veturë kishte lëvizur dhe kishte depërtuar në një barnatore në Rahovec pasi shoferi i saj pas parkimit nuk e kishte siguruar (frenuar) atë. Përveç dëmeve materiale në barnatore, pasoja në njerëz nuk ka pasur. Aksidenti ka ndodhur në afërsi të QKMF Rahovec”, ka thënë për Kallxo zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj.

Nga fotografitë e publikuara nga mediat, evidentohen dëme të konsiderueshme materiale në barnatoren ku është përplasur makina.