Sindikata e zjarrfikësve proteston sot para Qeverisë

Anëtarët e Sindikatës së Zjarrfikësve të Kosovës do të mblidhen sot për të protestuar para objektit të Qeverisë së Republikës së Kosovës

Kjo protestë vjen në shenjë pakënaqësie me kushtet e punës dhe moskompensimin për rrezikshmëri në punë.

Sipas njoftimit, marshi i protestuesve niset nga parkingu i Pallatit të Rinisë në orën 10:30.

“Kryesia e Sindikatës se zjarrfikësve te Kosovës ka vendosur që në shenjë pakënaqësie me kushtet e punës dhe gjendjen në përgjithësi në shërbimin e zjarrfikjes dhe shpëtimit, mosplotësimi i kërkesave të parashtruara me kohë, kërkesa të drejta dhe legjitime, të bazuara në ligje dhe së fundi edhe vendimi që zjarrfikësve t’ju anulohet pagesa për rrezikshmëri në punë, vendim i pa analizuar mirë dhe shumë probleme tjera rreth organizimit, statusi juridik ende i pa zgjidhur, mosdefinimi i kompetencave menaxhuese mes Komunave dhe MPB/AME, mosplanifikimi buxhetor për zjarrfikës, kushtet e dobëta të punës, numri i pamjaftueshëm i zjarrfikësve, mosha mesatare në prag të viteve 50, kjo gjendje ka shkaktuar indinjatë dhe njëherit, si pasojë e problemeve të pazgjidhura me dekada, kemi vendos që me dt. 14.12.2023 të riaktivizojë protestë”, thuhet në komunikatën e Sindikatës së Zjarrfikësve.

Zjarrfikësit kanë potencuar se neglizhenca e institucioneve ka shkaktuar irritim dhe sipas tyre, mosplotësimi i kërkesave “s’është për shkak se s’ka mjete buxhetore”.