Skandali i Gjykatës së Tenderëve: Heshtja mbi Kurdisjen e Arkitektit të Kryeqytetit

Në marsin e vitit të kaluar, operatori ekonomik “Gjeokonsult&CO” trokiti në dyert e gjykatës së tenderëve.

Dhe atë, duke ngritur alarmin që Komuna e Prishtinës kishte manipuluar dhe ndërhyrë në procesin e përzgjedhjes së ofertuesve për themelimin e Arkitektit të Kryeqytetit.

Ky operator ekonomik kishte ngritur dyshimet se Komuna e Prishtinës kishte dizajnuar gjithë procesin e prokurimit për Themelimin e Arkitektit të Kryeqytetit për të favorizuar një konsorcium të vetëm e që sipas tyre ishte “Anarch ShPK” dhe “Ardi Ç”.

Pikat në të cilat ata kishin bazuar ankesën e tyre ishin se operatorët ekonomikë duhet të dëshmojnë se kur shërbimet janë siguruar për blerësin privat, dëshmi për këtë sigurim të shërbimeve duhet të jetë kopja e çdo dokumenti të nënshkruar nga blerësi dhe evidentimi i sigurimit të tillë; Në kuptim të nën-paragrafit 4.2 të nenit 69 të lartcituar, AK në rast se kërkon dëshminë – Listën e kontratave të realizuara në tri vitet e fundit, (nga data e njoftimit për kontratë) kjo do të thotë që kontratat e kërkuara nga AK duhet të jenë të realizuara (jo në realizim e sipër) pra të përfunduara brenda tri viteve të shkuara nga data e njoftimit për kontratë.

Por që një gjë të tillë nuk e kishte bërë kompania që u shpërblye me tender nga Komuna që udhëhiqet nga Përparim Rama.

Madje ky konsorcium, në ankesën e tyre kishte bashkangjitur në mori faktesh.

Si pikë të parë, ata vendosen faktin se Nr. 1. Projekt Menaxhmenti i Kompleksit Afarist Banesor ENK/ Prishtina City Center, nuk përmbushte kriterin e sipërcituar pasi data e përfundimit aty ishte vendosur viti 2013, i shënuar nga GOE në aneksin 4, atëherë ky projekt është jashtë afateve të përcaktuara nga Autoriteti Kontraktues dhe Ligji i Prokurimit Publik. Por çuditërisht tek data e përfundimit që i binte 10 vjet me parë, kompania fituese për të njëjtën projekt kishte shënuar fjalën “VIJON”, çka e nxjerr këtë projekt të papërshtatshëm për plotësimin e kërkesave të dosjes së tenderit dhe Ligjit të Prokurimit Publik. Për me tepër, kjo referencë nuk ishte nënshkruar.

Sipas konsorciumit nga Shqipëria, kompania e Astrit Nixhës mashtroi edhe tek referenca “implementimi i sistemit të rrjetëzuar bankar”, duke shënuar fjalën “Vijon”, fjalë kjo që e nxjerr këtë projekt të papërshtatshëm për plotësimin e 6/4 kërkesave të FDT dhe LPP. Për më tepër, nga të dhënat e siguruara nga konsorciumi ankues, thuhej se mirëmbajtja e këtij sistemi bankar pranë NLB BANKA, nuk kryhet nga “Anarch” por nga “Aseco shpk”.

Një projekt tjetër që është jashtë afateve të përcaktuara nga Autoriteti Kontraktues dhe LPP, çka e nxjerr këtë projekt të papërshtatshëm për plotësimin e kërkesave të FDT dhe LPP, ishte edhe referenca për rregullimin e studiove të Klan KOSOVA TV, data e përfundimit të së cilës merret viti 2015, e panënshkruar si dhe e jashtë termave të referencës që ishte brenda periudhës 3 vjeçare.

As puna që Ninxha bëri për Top Channel, sipas konsorciumit nga Shqipëria, nuk përmbushi kriterin e sipërcituar pasi data e përfundimit është e shënuar “VAZHDON”, çka e nxjerr këtë projekt të papërshtatshëm për plotësimin e kërkesave të FDT dhe LPP.

Një tjetër projekt që Astrit Nixha e prezantoi dhe që thuhet “vazhdon”, ishte ai i rregullimit të dy dhomave në ZOE HORA Hotel and Spa.

Nr. 10. Projekt menaxhmenti dhe Analiza e Leverdishmërisë i ARTMOTION DATA QENDRA, nuk përmbush kriterin e sipërcituar pasi nëse data e përfundimit merret viti 2018, i shënuar nga GOE në aneksin 4, atëherë ky projekt është jashtë afateve të përcaktuara nga AK dhe LPP, çka e nxjerr këtë projekt të papërshtatshëm për plotësimin e kërkesave të FDT dhe LPP.

Prandaj, sipas ankesës së konsorciumit “Gjeokonsult&CO”, Shërbimi i Arkitektit të Kryeqytetit kishte ofruar dokumente me informacion të pavërtetë me qëllim të përfitimit.

Sipas tyre, të gjitha këto veprime përbënin shkeljen e ligjit dhe janë vepra penale andaj ata vlerësuan se duhet të trajtoheshin nga organet e drejtësisë.

Sipas tyre, ndryshimin e vitit nga 2017 në 2020, operatori ekonomik është detyruar ta deklarojë publikisht, pasi autoriteti kontraktues është detyruar ta respektojë ligjin dhe të korrigjojë vitet e lejuara për paraqitjen e punimeve të ngjashme nga 10 vite në 3 vite, sa parashiheshin.

Ky ishte fakti kryesor që me automatizëm, sipas “Gjeokonsult&CO”, OSHP-ja duhet diskualifikuar nga kjo procedurë tenderimi “Shërbimin e Arkitektit të Kryeqytetit” dhe jo t’i jepen pikët maksimale teknike.

Por, pavarësisht se ky operator ekonomik ka faktuar dhjetëra fakte që dëshmojnë se autoriteti kontraktues ka shkelur dispozitat e ligjit dhe procedurat e prokurimit gjatë aktivitetit të prokurimit për konsulencë për themelimin e Shërbimit të Arkitektit të Kryeqytetit për nevojat e Komunës së Prishtinës dhe kërkonte rishqyrtimin e vendimit, OShP e hodhi poshtë ankesën.

Kërkesa e operatorit ekonomik u mbështet edhe në gjetjet e ekspertit shqyrtues.

Eksperti Shqyrtues, pas shqyrtimit të dosjes dhe pretendimeve ankimore, ka dorëzuar raportin e vlerësimit dhe ka rekomanduar që ankesa e operatorit ekonomik të aprovohet, dhe vendimi i autoritetit kontraktues për kualifikimin e operatorëve ekonomikë të anulohet, duke rekomanduar që lënda të kthehet në rishqyrtim.

Megjithatë, Organi Shqyrtues i Prokurimit Publik nuk i ka marrë parasysh ato. Madje, sipas vendimit që mban datën 25 maj, thuhet se Paneli Shqyrtues, duke u bazuar në dispozitat e ligjit dhe faktet e prezantuara në dosje, ka vendosur se autoriteti kontraktues nuk ka vepruar në kundërshtim me ligjin dhe ka zbatuar procedurat e prokurimit në mënyrë të rregullt.

Madje, paneli është lëshuar edhe në vlerësime duke thënë se argumentet dhe veprimet e autoritetit kontraktues ishin profesionale dhe të argumentuara me prova materiale, dhe se ata nuk kanë gjetur ndonjë shkelje apo diskriminim në procesin e prokurimit.

Prandaj, Paneli ka vendosur që vendimi i autoritetit kontraktues të mbetet në fuqi./Klan Kosova