Skenari i dërgimit të Draft -Statutit të Asociacionit në Gjykatë – detyrë e “Qeverisë ose Ministrisë, Presidentja s’ka të drejtë”

Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe vazhdon të mbetet top-prioritet për Perëndimin që po përpiqet t’i japë një epilog mosmarrëveshjeve Kosovë -Serbi. Shtetet e fuqishme anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe progresin në rrugën drejt integrimit në BE e kanë ndërlidhur me zbatimin e marrëveshjeve me Serbinë e veçmas me themelimin e Asociacionit. Edhe hapi final për anëtarësim në Këshill të Evropës duket se do të ketë kusht kryesor fillimin e zbatimit të Asociacionit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë ditës së djeshme ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin e Francës, Emmanuel Macron, ku ka shprehur pritjen e tij që të mos ketë parakushte të tjera për Kosovën sa i përket anëtarësimit në Këshillin e Evropës. Në komunikatën e lëshuar nga presidenca franceze sa i përket anëtarësimit në KiE është theksuar kërkesa e Macron për progres sa i përket Asociacionit.

“Megjithatë, ai nënvizoi rëndësinë që Franca i kushton, edhe në kontekstin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, progresit të shpejtë dhe të pakthyeshëm në zbatimin nga autoritetet kosovare të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe”, thuhet në komunikatën e Presidencës franceze.

Por në çfarë rrethana mund të fillojë procesi i implementimit ose dërgimi i draft -statutit të Asociacionit në Gjykatë dhe a ka afate kohore për një gjë të tillë.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani i ka diskutuar skenarët mbrëmë në një intervistë për Zërin e Amerikës.

Ajo ka thënë se kjo është detyrë e qeverisë së Kosovës ose e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal.

“Pra mund të jetë ministria përkatëse apo një vendim i qeverisë”, ka thënë ajo.

Shefja e shtetit ka thënë se në të kaluarën ka ekzistuar e drejta që Presidentja të dërgojë çështje në Kushtetuese, por Osmani ka thënë se tani kjo është kufizuar me anë të aktgjykimeve të Kushtetueses.

“Në vitin 2017-2018 dhe në vitin 2021, ka aktgjykime të Gjykatës Kushtetuese të cilat e kanë kufizuar mandatin e Presidentes për të ngritur çështje kushtetuese, ose për të bërë pyetje kushtetuese në qoftë se një dokument është në përputhje me Kushtetutën. Pra, pa u miratuar fillimisht ky dokument nga qeveria, ose pa u nxjerr ndonjë akt i qeverisë, si Presidente nuk mund ta dërgojë atë në Gjykatën Kushtetuese, sipas nenit 113” ka thënë Osmani.

Sipas saj, patjetër duhet të ketë një akt të qeverisë” në mënyrë që drafti të shkojë në Gjykatë.

“Pra, në të kaluarën ka ekzistuar kjo e drejtë. Siç e dini, në vitin 2015 është shfrytëzuar, në kohën 2008-2010 është shfrytëzuar disa herë. Mirëpo që nga viti 2018 e tutje, nëpërmjet aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese, është kufizuar kjo e drejtë e Presidentes. Pra, patjetër duhet të ketë akt paraprak të qeverisë, i cili jo domosdoshmërish duhet të pajtohet me përmbajtjen e statutit, por të gjendet një mënyrë që të përcillet tutje.

Osmani ka thënë se Kosova ka treguar vullnet për zbatim të marrëveshjes së arritur në Bruksel dhe më pas edhe Ohër dhe se kërkon që zbatimi të bëhet sa më shpejt që të jetë e mundur. Megjithatë Osmani thotë se marrëveshja nuk e ka vetëm Asociacionin, por ka edhe pjesë të tjera që duhet të zbatohen nga pala serbe.

“Pra, e vetmja që Kosova po kërkon është që marrëveshja të zbatohet në tërësi e jo vetëm nga njëra palë të kërkohet zbatim i plotë, kurse nga ana tjetër mos të kërkohet zbatimi i asnjërës prej dispozitave. Natyrisht ne e dimë që ky është detyrim ndërkombëtar i Kosovës, por janë disa parime të cilat i kemi parasysh dhe i kemi si vija të kuqe në zbatimin e Asociacionit. Ndër to është Kushtetuta e Kosovës, është vendimi i Gjykatës Kushtetuese i vitit 2015, është fakti që nuk mund të ketë kompetenca ekzekutive, ashtu siç është shkruar edhe në letrën e [ish Përfaqësueses për Politikë të Jashtme dhe Siguri] Mogherinit në atë kohë dhe po ashtu të jetë në përputhje me qëndrimin amerikan të publikuar në ‘op-edin’ Cholet/Escobar.Pra Kosova nuk po kundërshton zbatimin e detyrimeve të veta. Thjesht po kërkojmë që marrëveshja të jetë marrëveshje dhe të krijojë detyrime për të dyja palët, se përndryshe e humbet kuptimin edhe marrëveshja edhe dialogu”, ka thënë Osmani.

E pyetur nëse Kosova ka një plan të qartë për hapat e ardhshëm rreth Asociacionit, Osmani ka thënë se në momentin që do të ketë një plan konkret të sekuencimit, Kosova do ta dërgojë në Gjykatë Kushtetuese Draftin për Asociacionin.

Shefja e shtetit ka përmendur edhe shqetësimet e saj rreth Draftit, por shprehet se ka besim që Kushtetuesja do të sigurojë që gjithçka do të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe Aktgjykimin e vitit 2015, meqë gjërat mund të keqinterpretohen në praktikë dhe mund të shkaktohen probleme të mëdha.

“Plani natyrisht është i qartë. Duhet të përfundojë marrëveshja e sekuencimit, që përcakton cili hap i zbatimit duhet i pari, cili i dyti dhe kështu me radhë. Sapo të përfundojë plani i sekuencimit, natyrisht që Kosova, ashtu siç parashihet edhe në vet vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015, duhet të dërgojë draft-statutin në Gjykatën Kushtetuese. Pastaj i takon Gjykatës Kushtetuese të vendosë nëse drafti është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.

Si Presidente e vendit unë kam një sërë shqetësimesh lidhur me draftin, por kam besimin e plotë se Gjykata Kushtetuese do të sigurohet që gjithçka të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe aktgjykimin e vitit 2015, sepse përndryshe mendoj që shumë gjëra mund të keqpërdoren në praktikë gjatë interpretimit të statutit dhe mund të shkaktohen probleme të mëdha, të cilat pastaj do të jetë vështirë që të menaxhohen pa u krijuar tensione. Kështu që edhe për shkak të sigurisë, e cila është e domosdoshme për shkak të stabilitetit, i cili është parakusht për paqe, por mbi të gjitha për shkak se duhet ta ruajmë funksionalitetin e shtetit tonë, duhet të jemi të sigurt që gjithçka të jetë në përputhje me Kushtetutën para se të ndërmerren hapa për zbatimin e plotë të Asociacionit”, ka thënë Osmani.

Sa i përket afateve kohore, Osmani ka thënë se s’mund të caktojë afate dhe se kjo varet nga rrjedha e dialogut.

“Unë nuk mund të përcaktojë afate. Sipas statutit por edhe aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015, kjo është detyrë e qeverisë së Kosovës. Pra mund të jetë ministria përkatëse apo një vendim i qeverisë, mirëpo kjo varet shumë edhe nga rrjedha e dialogut. Siç e përmenda, duhet të kemi plan sekuencimi, i cili parasheh qartë se cili hap nga Kosova ndërmerret i pari, cili hap nga Serbia ndërmerret po ashtu paralelisht, në mënyrë që të dyja palët të zbatojnë në paralel dhe të dyja palët të përfitojnë.Por nuk mundemi ne të kërkojmë nga Kosova zbatim të pjesës kryesore të marrëveshjes, kurse nga Serbia, ta zënë, të mos kërkojmë që të votojë pro në Këshillin e Evropës. Në qoftë se kërkohet zbatim, duhet të kërkohet nga të dyja, siç e thashë, ndryshe krejt kredibiliteti i dialogut dhe parimi i trajtimit të barabartë të palëve nuk kanë më asnjë kuptim. Sepse në njëfarë mënyre, po mbetet vetëm njëra palë në proces, pasi tjetra tashmë është tërhequr formalisht duke dërguar letër në BE që nuk do ta zbatojë marrëveshjen. Dhe njësoj e tha edhe Vuçiçi sot në Këshillin e Sigurimit, që ata e duan Asociacionin, por pa ndërmarrë asnjë hap drejt njohjes reciproke, qoftë de facto apo de jure në raport me Kosovën. Marrëveshja, në fakt, i ka të gjithë elementët e njohjes de facto, që nga njohja e sovranitetit e integritetit territorial e deri tek parimet tjera të Kartës së OKB-së, të cilat vlejnë vetëm mes shteteve. Por ata po e thonë qartë që nuk do ta zbatojnë.Në njëfarë mënyre në këtë marrëveshje ka mbetur vetëm një pale”, ka shtuar tutje presidentja./Express