Sot në Shkup bëhet dorëzim pranimi i detyrës së Kryeministrit

Zgjedhjet e njëmbëdhjeta kuvendare në Maqedoninë e Veriut do të mbahen më 8 maj, ndërsa zgjedhjet e shtata presidenciale më 24 prill.

Deri në formimin e qeverisë së re në fund të qershorit, vendi do të udhëhiqet nga qeveria teknike e kryesuar nga kryeministri Talat Xhaferi.

Kjo qeveri kalimtare u zgjodh dje me 65 vota “për” dhe tre “kundër”. Opozita maqedonase ishte në sallë, por abstenoi nga votimi, ndërsa deputetët e opozitës shqiptare nuk morën pjesë fare në seancë.

Në Qeveri sot është planifikuar të bëhet pranim-dorëzimi i detyrës në mes të kryeministrit aktual Dimitar Kovaçevski dhe kryetarit të Qeverisë kalimtare Talat Xhaferi. Pas mbërritjes në objektin e Qeverisë, është planifikuar që kryeministrat Kovacevski dhe Xhaferi të kenë një takim të shkurtër. Pritet që të ketë pranim-dorëzim funksionesh në të gjitha ministritë.

Xhaferi, dje në fjalimin e tij para deputetëve në seancën plenare të 141-të, tha se për të si mandatar i kësaj Qeverie, “nuk ka dallim nëse është një apo 100 ditë, Qeveri teknike apo kalimtare”.