Sot po mbahet procesi zgjedhor në Preshevë dhe Bujanoc

Nga ora 07:00 në Preshevë dhe Bujanoc, janë hapur vendvotimet për zgjedhjet e nivelit lokal. Kjo është konfirmuar për Radio Televizionin e Kosovës nga Komisionet Komunale Zgjedhore në Preshevë dhe Bujanoc, ku nuk evidentohet ndonjë incident i çfarëdo lloj natyre.

Presheva ka rreth 43500 votues të cilët do të votojnë në 37 qendra të vendvotimit për 39 mandate. Në Bujanoc kanë të drejtë vote gjithsej 43046 votues të cilët do të votojnë në 59 vendvotime për 41 mandate.

Në të dy komunat vlen rregulli i njëjtë, i arritjes së shumicës prej 21 mandateve të këshilltarëve për të arritur zgjedhjen e kryetarit të komunës, i cili pra nuk zgjidhet me votën e drejtpërdrejt.

Në Preshevë kemi në garë 6 subjekte shqiptare dhe 1 të pakicës serbe. Në Bujanoc ndërkaq po garojnë 4 subjekte të shqiptarëve, 4 të serbëve dhe 1 subjekt që udhëhiqet nga minoriteti rom.