Specialja ia vazhdon paraburgimin Pjetër Shalës edhe për dy muaj

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë është marrë vendim që Pjetër Shalës t’i vazhdohet paraburgimi edhe për dy muaj të tjerë.

Kryetarja e trupit gjykues, Mappie Veldt-Foglia, ka urdhëruar Zyrën e Prokurorit të Specializuar dhe mbrojtjen e viktimave që nëse dëshirojnë t’i paraqesin parashtrimet e veta për shqyrtimin e radhës të paraburgimit, duhet ta bëjnë jo më vonë se 5 marsi 2024.

Ky është shqyrtimi i 15-të i paraburgimit për të akuzuarin Shala.

“Për arsyet e lartpërmendura, Paneli përmes kësaj: a. URDHËRON vazhdimin e paraburgimit të të akuzuarit; b. URDHËRON ZPS-në dhe avokatin e viktimave, nëse ai dëshiron, të paraqesë parashtresa për shqyrtimin e radhës të paraburgimit të të akuzuarit jo më vonë se e marta, 5 mars 2024; c. URDHËRON mbrojtjen që të paraqesë parashtresa për shqyrtimin e radhës të paraburgimit të të akuzuarit, nëse dëshiron, jo më vonë se e marta, 12 mars 2024; dhe d. PËRCAKTON që çdo përgjigje, nëse ZPS-ja dhe mbrojtësi i viktimave dëshirojnë, do të dorëzohet jo më vonë se e premtja, 15 mars 2024”, thuhet në vendimin për shqyrtimin e 15-të të paraburgimit për Pjetër Shalën, raporton Betimi për Drejtësi.