‘Spiunuan’ për BIA-n serbe, Prokuroria konfirmon arrestimin dhe caktimin e masës së paraburgimit për të dyshuarit

Prokuroria Speciale e Kosovës ka bërë të ditur se pas zhvillimit të hetimeve disa mujore, të mërkurën në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe AKI-në, ka zhvilluar bastisje në dy lokacione të Kosovës dhe ka arrestuar dy persona me nënshtetësi kosovare, të dyshuar për kryerjen e veprës penale “spiunazhi”.

Prokuroria Speciale ka njoftuar se lidhur me rastin ka zhvilluar bastisje në dy lokacione në Kosovë.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës e njofton opinionin publik se pas zhvillimit të hetimeve disa mujore, sot në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe AKI-në, ka zhvilluar bastisje në dy lokacione të Kosovës dhe ka arrestuar dy persona me nënshtetësi Kosovare, të dyshuar për kryerjen e veprës penale “spiunazhi”, nga neni 124 të KPRK-së.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ndaj të dyshuarve ka nxjerrë aktvendim për ndalim prej 48 orësh dhe ndaj të njëjtëve do të ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme hetimore.“, theksohet në njoftimin e Prokurorisë.

E të arrestuarit në këtë aksion në Ferizaj janë Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi të cilët dyshohen për spiunazh me Agjencinë e Inteligjencës Serbe (BIA).

Shabani dhe Qerimi janë arrestuar sot në një aksion të Drejtorisë për Krime të Rënda të Policisë së Kosovës.