Stano për dinarin: BE ishte e qartë ndaj vendimit kundërproduktiv, çështja duhet të zgjidhet përmes dialogut

Deklarata e zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi se ka refuzuar një ftesë të Bashkimit Evropian për të biseduar lidhur me çështjen e ndalimit të dinarit serb në Kosovë dhe akuzat ndaj emisarit të posaçëm për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, u cilësuan si të papranueshme. Kështu ka deklaruar zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, i cili tha se kjo ftesë nuk specifikonte se kush prej secilës palë duhej të merrte pjesë në takim.

Bashkimi Evropian po përpiqet që të gjejë një zgjidhje për problemin e krijuar nga “vendimi i pakoordinuar i njërës palë, i cili nuk i ishte komunikuar paraprakisht popullatës në të cilën ndikon”.

Ai e përsëriti se kjo çështje duhet të zgjidhet në kuadër të dialogut, duke paralajmëruar se qëndrime të tilla nga ana e autoriteteve kosovare, e distancojnë Kosovën nga perspektiva evropiane.

“BE-ja dhe vendet anëtare ishin shumë të qarta në reagimet e tyre ndaj këtij vendimi kundërproduktiv dhe se kjo çështje duhet të zgjidhet brenda kornizës së dialogut.

Qëndrimi jokonstruktiv nga ana e autoriteteve kosovare, dështimi dhe mungesa e angazhimit vetëm e distancon Kosovën nga perspektiva e saj evropiane”, paralajmëroi ai.

Më lejoni të përsëris edhe një herë se dialogu është platforma e vetme për të gjetur zgjidhje gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme për çështjet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.” – thuhet tutje në përgjigjen e Stanos për Sinjali.

Kjo përpjekje siç tha Stano, do të duhej të vlerësohej nga Bislimi, e jo të akuzojë zyrtarët e BE-së – duke e quajtur këtë sjellje të papranueshme.

Shpresojmë që z. Bislimi do ta vlerësonte përpjekjet, në vend që në mënyrë të pabazë, t’i akuzojë zyrtarët e BE-së. Një sjellje e tillë është e papranueshme”, tha Stano.

Stano po ashtu e konfirmoi se BE-ja e ka ftuar Kosovën dhe Serbinë për të biseduar për këtë çështje, takim ky që parashihet të mbahet më 27 shkurt.

“Përfaqësuesi i lartë për politikë të jashtme dhe siguri i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, është takuar me presidentin serb, Vuçiq dhe kryeministrin e Kosovës, Kurti në Mynih fundjavën e kaluar, ku është diskutuar kjo çështje. Në vijim të këtyre takimeve, Lajçak ka ftuar dy palët të vijnë në Bruksel të martën, më 27 shkurt.

Mirëpo, në letrën e ftesës nga Lajçak nuk është specifikuar se kush duhet të përfaqësojë Kosovën dhe Serbisë – kjo është lënë në dorë palëve.”– thuhet në përgjigjen e Stanos.

Ndryshe, Bislimi deklaroi dje se me dërgimin e kësaj ftese, Lajçak ka shkelur “parimet që i ka vendosur vetë”, për një takim pa pajtim paraprak me palët.

Kujtojmë se edhe Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar që Kosova të shtyjë zbatimin e vendimit të BQK-së, pasi mospërmbushja e kësaj kërkese veçse ka ndikuar në raportet mes Kosovës dhe SHBA-së.