Stano: Raporti i Borrellit për heqjen ose jo të masave ndaj Kosovës është para finalizimit

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka thënë se raporti i Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Kosovën po shkon drejt finalizimit dhe se heqja apo jo e masave do të varet nga ky raport por edhe nga vendet anëtare.

“Diskutimet do të bazohen në raportin e Përfaqësuesit të Lartë për përmbushjen e kërkesave të BE-së të dërguara në Kosovë, kur u futën masat. Unë vetëm mund të konfirmoj, pa diskutuar publikisht proceset aktuale në Këshill, se raporti është para finalizimit dhe do t’u dorëzohet vendeve anëtare”, tha Stano në një konferencë për media në Bruksel.

Derisa sa i përket afatit dhe përmbajtjes, Stano theksoi se nuk mund të bëjë komente, pasi këto janë procedura të brendshme në kuadër të Këshillit Evropian.

Kryeministri Albin Kurti dhe zyrtarë të tjerë të Kosovës në vazhdimësi kanë kërkuar heqjen e masave, duke thënë se Kosova i ka plotësuar kushtet.

Kurti tha javën e kaluar se Kosova ka përmbushur të gjitha kërkesat e Bashkimit Evropian për heqjen e masave kufizuese që blloku ka vendosur ndaj Kosovës.

Nisma për largimin e kryetarëve shqiptarë të komunave në veri të Kosovës dështoi pasi nuk u arrit numri i mjaftueshëm i votave pas bojkotimit nga serbët.

Vetëm disa qindra qytetarë serbë, nga rreth 45 mijë me të drejtë vote, morën pjesë në referendumin në katër komunat në veri të Kosovës që për synim kishte largimin e kryetarëve shqiptarë.

Nga Bashkimi Evropian vlerësuan se rezultati i votimit në veri nuk i kontribuon shtensionimit të situatës.

Masat e vendosura nga BE-ja ndaj Kosovës përfshinin: suspendimin e përkohshëm të grupeve punuese për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, mosftesën e Kosovës në takime të nivelit të lartë dhe suspendimin e vizitave bilaterale.