Süddeutsche Zeitung: Arsenali i armëve tregon se ka arsye për prani masive të policisë së Kosovës në veri

Gazeta e njohur gjermane “Süddeutsche Zeitung” ka shkruar për situatën e krijuar në Kosovë pas sulmit në veri ku mbeti i vrarë një polic i Kosovës.

Sipas gazetës, fjalët e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiqit ku shprehu keqardhje për vrasjen e policit në veri të Kosovës i ngjanin gati shpalljes së luftës. Menjëherë pas fjalëve të keqardhjes ai kaloi në sulm kundër kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, duke thënë se dorasit rezistuan sepse nuk po duronin më “terrorin” e Kurtit. Një skenar i tillë, sipas Vuçiqit, ishte “vetëm çështje kohe”. Një mosarsyetim i vrasjes tingëllon ndryshe, shkruan gazeta.

Tutje, “Süddeutsche Zeitung” shkruan se pas deklaratave të fundit të Vuçiqit nuk duhet të ketë më dyshime se ku e lokalizon ai veten dhe vendin e tij: në logjikën e luftës së Kosovës në vitet 90-të, kur ai i shërbeu si ministër i informatave kriminelit të luftës Sllobodan Millosheviq.

Në artikull theksohet se shumë civilë serbë në veri të Kosovës ndihen të diskriminuar nga sjellja nganjëherë e vrazhdë e njësive policore kosovare, por, njëkohësisht, sulmi terrorist i fundjavës tregoi se ka gjithsesi arsye për një prani masive policore në rajon: arsenali i armëve luftarake, të cilat i sollën sulmuesit, nuk flet për një grup të vogël të njerëzve privatë dhe të frustruar.

Vuçiqi, sipas kësaj gazete, nuk mund të arsyetohet duke thënë se nuk ka haber se kush po shkakton tollovi të armatosura në veri të Kosovës. Për aq kohë sa ai edhe retorikisht kalon në modus të eskalimit, BE mund t’i harrojë të gjitha përpjekjet e saj për ndërmjetësim mes tij dhe Kurtit.