Sulmi në Banjskë: NATO rrit forcën paqeruajtëse në Kosovë

Në përgjigje të sulmit terrorist paraushtarak të 24 shtatorit, NATO po forcon misionin e saj paqeruajtës në Kosovë. Kreu i NATO-s, Jens Stoltenberg ka deklaruar së fundmi për mediumin gjerman “Welt” se situata në veri të Kosovës është bërë “shkak” për “shqetësim të madh.”

Rreth dy javë më parë, një formacion paramilitar terrorist, nën dyshimet e forta për koordinim me qeverinë e Beogradit u futën në Banjskë të Zveçanit. Në këtë sulm që alarmoi Aleancën e Atlantikut të Veriut, doli të ishte një plan i detajuar ushtarak për “aneksimin total të veriut”.

Në mes të frikës për përshkallëzim të mëtejshëm pas sulmit të 24 shtatorit, komandanti i KFOR-it, Angelo Michele Ristuccia, kishte paralajmëruar përforcime shtesë në kuadër të misionin paqeruajtës.

NATO lëshoi një deklaratë të premten, duke theksuar rëndësinë e këtyre dislokimeve për të siguruar që KFOR-i të ketë forcat e nevojshme për të përmbushur mandatin e saj të OKB-së për ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe për të mundësuar lirinë e lëvizjes për të gjithë banorët e Kosovës.

“Ne gjithmonë do të ndërmarrim të gjitha veprimet e nevojshme për të ruajtur një mjedis të sigurt dhe të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë.” – thuhej në deklaratë.

Ndërsa gjatë ditës së sotme, Shtabi Suprem i Fuqive Aleate të NATO-s, ka publikuar pamjet nga nisja e 200 ushtarëve britanikë për në Kosovë.

Në këto fotografi shihet nisja e ushtarëve britanikë për në Kosovë.

“200 ushtarë të ushtrisë britanike po arrijnë në Kosovë për të përforcuar misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë (KFOR). Dislokimi vjen pas sulmit të dhunshëm ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator.” – thuhet në reagimin e këtij shtabi.

Më 1 tetor, Britania e Madhe bëri të ditur se do t’i dërgojë 400 ushtarë shtesë në Kosovë.

Plan të shtimit të trupave në kuadër të misionit paqeruajtës në Kosovë ka edhe Gjermania e cila pritet t’i dërgojë rreth 150 ushtarë në Kosovë, në prill të vitit të ardhshëm, sipas njoftimit nga zëdhënësi i Ministrisë gjermane të Mbrojtjes.

Rumania planifikon gjithashtu të dërgojë së shpejti 100 ushtarë shtesë.

Në dritën e sulmeve të fundit terroriste paraushtarake, Stoltenberg e ka bërë të qartë se “trupat e NATO-s janë të gatshme të ruajnë paqen në Kosovë”.

“Dua të them shumë qartë: trupat e NATO-s janë të gatshme të ruajnë paqen në Kosovë. Nuk do të lejojmë që dhuna e viteve 1990 të kthehet”, ka deklaruar ai.

Stoltenberg ka bërë thirrje që Kosova dhe Serbia t’i kthehen dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja. “Kjo është mënyra e vetme për të arritur paqen e qëndrueshme për të gjitha komunitetet.” – ka deklaruar ai.

Sulmi në Banjskë

Sulmi terrorist në Banjskë të Zveçanit para dy jave nuk ishte thjesht sulm mbi Policinë e Kosovës e as marrjes së fshatit Banjskë, por ishte plan i detajuar ushtarak për “aneksimin total të veriut” dhe ishte planifikuar që sulmi të kryhej nga gjithsejt 37 lokacione nga ku terroristët synonin t’i zinin, ka shpjeguar Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla në një konferencë për media me Drejtorin e Policisë së Kosovës, Gazemend Hoxhën.

Këto konkluzione janë nxjerrë nga ekspertët pas analizimit të plotë të të dhënave, pamjeve, armëve, dokumenteve dhe videove me dronë të sekuestruara nga terroristët e udhëhequr nga Millan Radojçiq, ku u shpaluan pamje të stërvitjeve ushtarake dhe simulimeve të sulmeve nga terroristët në një bazë trajnimi në Kopaonik, konkretisht më një pronë të Millan Radojçiqit.

Në këto trajnime, tha Sveçla, janë angazhuar prej presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, ministrit serb të mbrojtjes, Millosh Vuçeviq dhe shefi i shtabit të përgjithshëmn të ushtrisë serbe, Millan Mojsilloviq.

Ndërsa në një postim gjatë ditës, Sveçla, duke paraqitur foto dhe prova të marra nga vendi i ngjarjes, ka ngritur dyshime për implikimet më të thella të shtetit serb në këtë sulm. Sveçla ka njoftuar se njësitet policore kanë gjetur dokumentin personal dhe veturën e Milorad Jevtic gjë që, siç ka treguar ai, “dëshmon se ai ka qenë në njësitin që kanë sulmuar Policinë e Kosovës”./Nacionale