“Sulmi terrorist në Banjskë dëshmoi sa e brishtë është siguria në rajon” – Begaj pas hapjes së bazës së NATO në Kuçovë

Në përurimin hapjen e bazës ajrore e NATO-s në Kuçovë, Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj ka thënë se jetësimi i kësaj baze shënon një kapitull të ri në mbrojtjen dhe sigurinë e vendit dhe të rajonit.

Në fjalimin e tij, Begaj tha se kjo bazë ajrore e NATO-s simbolizon një urë ku e shkuara dhe e tashmja bashkohen për të siguruar një të ardhme të sigurt.

“Jetësimi i bazës ajrore të Kuçovës shënon një kapitull të ri në historinë e mbrojtjes dhe sigurisë së vendit tonë e rajonit. Kjo bazë është rezultat i bashkëpunimit dhe koordinimit midis aleatëve dhe vëmendjes që Shqipëria i kushton sigurisë dhe mbrojtjes. I shpreh mirënjohje ShBA-së për mbështetjen e paçmuar që i kanë dhënë Shqipërisë. Baza ajrore taktike e NATO-s e ngritur në Kuçovë simbolizon një urë ku e shkuara dhe e tashmja bashkohen për të siguruar një të ardhme të sigurt”, tha ai.

Tutje presidenti shqiptar përmendi edhe sulmin terrorist në Banjskë më 24 shtator, duke thënë se ky sulm tregoi se sa e brishtë është siguria në rajon dhe se siç tha ai një gjë e tillë dëshmon se ka ende aktorë lokal që duan të projektojnë të ardhmen përmes të kaluarës.

“NATO nëpërmjet këtij investimi tregon se Shqipëria ka rëndësi strategjike për aleancën. Për Shqipërinë një investim strategjik shumë i nevojshëm dhe i mirëpritur. Me rëndësi të veçantë kur siguria në hapësirën euroatlantike është e rrezikuar. Agresioni i paprovokuar i Rusisë ndaj Ukrainës, situata në Lindjen e Mesme dhe në rajonet e tjera, terrorizmi, përbëjnë sfida. Konfrontimet politike ushtarake rrezikojnë të përshkallëzohen dhe të përhapen kjo u pa më së miri shtatorin e kaluar, në sulmin terrorist të Banjskës në Kosovë. Ai sulm tregoi se sa e brishtë është siguria në rajonin tonë dhe dëshmoi se ka ende aktorë lokalë që mundohen ta projektojnë të ardhmen nëpërmjet një të kaluare e cila s’duhet të kthehet më. Ne duhet të jemi të gatshëm për të mbrojtur veten dhe pr të kontribuar në aleancë”, tha presidenti Bajram Begaj.

Lidhur me sulmin terrorist në Banjskë, të premten e 1 marsit, Parlamenti Evropian ka kërkuar vënien para drejtësisë të autorëve të këtij sulmi, si dhe heqjen e menjëhershme të masave ndaj Kosovës.

PE i ka bërë thirrjet Komisionit dhe Këshillit Evropian të marrin masa në rast se del që shteti serb ka qenë drejtpërdrejt i përfshirë në këtë akt agresioni ndaj Kosovës, apo siç potencohet edhe në sulmet e dhunshme që ndodhën në veri të vendit në maj të vitit të kaluar.

“(Paralamenti Evropian) dënon sulmin terrorist të kryer më 24 shtator 2023 kundër Policisë së Kosovës në Banjskë në veri të Republikës së Kosovës dhe provokime të tjera; rithekson pozicionin e tij siç është miratuar në rezolutën e 19 tetorit 2023 ; u bën thirrje të gjitha palëve, në këtë kontekst, të punohet për të depërshkallëzuar situatën dhe për të shmangur çdo retorikë apo veprim që mund të çojë në tensione të mëtejshme; (Parlamenti Evropian) po ndjek nga afër hetimet në vazhdim dhe rithekson se autorët përgjegjës duhet të mbajnë përgjegjësi dhe të përballen me drejtësinë; i bën thirrje Komisionit dhe Këshillit të marrin masa ndaj Qeverisë së Serbisë nëse hetimet zbulojnë se shteti serb ka qenë drejtpërdrejt i përfshirë në sulmin e lartpërmendur apo sulmet e dhunshme që ndodhën në veri të Kosovës në maj 2023, ose nëse autoritetet serbe nuk janë të gatshme të bashkëpunojnë plotësisht, thuhet mes tjerash në këtë rezolutë.