Takim të ri të katërt për dinarin: A do të kenë sukses bisedimet e vazhdueshme në Bruksel?

Kosova dhe Serbia nuk kanë arritur të pajtohen për çështjen e dinarit serb, i cili u ndalua në Kosovë më 1 shkurt, as pas takimit të tretë radhazi të enjten në Bruksel, konfirmuan kryenegociatorët e të dy vende, të cilët e akuzuan njëri-tjetrin për mungesë vullneti për të gjetur një zgjidhje. Por, Bashkimi Evropian tha se ka pasur përafrim të qëndrimeve sa i përket dinarit.

Petkoviq dhe Bislimi theksuan se do të ketë një takim të ri të katërt për këtë çështje pas rreth dy javëve.

Bislimi tha gjithashtu se pala serbe nuk e pranoi një propozim të “konsoliduar” të Lajçakut, për të cilin “ne besojmë se është konstruktiv dhe në rrugën e duhur për të gjetur një zgjidhje, e cila më së shumti i shkon për shtat qytetarëve dhe e respekton rregulloren e Bankës Qendrore”.

Duhet të takohemi pas dy javëve, atyre iu bë e qartë se ky do të jetë takimi i fundit, prandaj ata duhet të reflektojnë ose do të fajëson zyrtarisht për bllokimin e zgjidhjes”, tha Bislimi.

Ndërkohë, Petkoviq e përsëriti se kjo çështje do të ishte e zgjidhur, sikur të ekzistonte Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Të enjten më herët në mëngjes, Lajçak e zhvilloi një takim dypalësh me kryenegociatorin serb Petkoviq.

Pas takimeve në Bruksel, Lajçak tha se bisedimet e së enjtes ishin për gjetjen e një zgjidhjeje “të përkohshme” për personat që janë prekur nga BQK-ja.

“Arritëm të përafrojmë qëndrimet mes dy propozimeve të palëve. Planifikoj të vazhdoj diskutimet shumë shpejt bazuar në idetë e BE-së për kompromis”, shkroi ai në X, që më herët njihej si Twitter.