Takimi i liderëve në Bruksel: BE s’tregon kur mund të takohen Kurti e Vuçiq për marrëveshjen e normalizimit

Në nivel të kryenegociatorëve, Kosova dhe Serbia dje vazhduan rundin e ri të dialogut, ku agjenda u fokusua në diskutimet për Marrëveshjen në rrugën drejt normalizimit dhe Aneksin për zbatimin e saj dhe çështja e dinarit. Palët u dakorduan që deri më 22 mars, t’i dorëzojnë propozimet e tyre për përdorimin e dinarit serb në Kosovë, ndërsa javën e ardhshme do të takohen sërish në Bruksel për diskutimin e opsioneve.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, paralajmëroi se nevojitet një takim i nivelit të lartë mes liderëve të Kosovës dhe Serbisë për të diskutuar për zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve fqinje.

Ai, megjithatë, nuk tregoi se kur mund të ndodhë një takim i tillë nën ndërmjetësimin e bllokut

“Zbatimi i marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit, sikur edhe kërkesat shtesë për formalizim, kanë nevojë të adresohen nga liderët gjatë takimit të radhës në nivel të lartë, në kuadër të dialogut”, tha Stano, raporton rel.

Kosova dhe Serbia arritën Marrëveshjen Bazë në shkurt 2023 në Bruksel, ndërkaq më 18 mars në Ohër, u pajtuan për Aneksin e zbatimit të kësaj marrëveshjeje.

BE-ja paralajmëroi në fillim të kësaj jave se do të shtojë trysninë mbi të dyja vendet për zbatimin e kësaj marrëveshjeje.

Marrëveshja, mes tjerash, kërkon marrëdhënie të mira fqinjësore, njohje reciproke të dokumenteve dhe simboleve shtetërore, si dhe respektim reciprok të sovranitetit dhe tërësisë territoriale. Ajo kërkon po ashtu nga palët që të mos e pengojnë njëra-tjetrën në proceset integruese, por nuk kërkon njohje të ndërsjellë.