Taravari ia kthen Selës: Partia s’është pronë

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, i është përgjigjur ish-kryetarit të kësaj partie, Ziadin Selës i cili e paralajmëroi për shkarkimin.

Taravari tha dje nga Gostivari se pas 24 vitesh duhet të ndodhin ndryshime në bllokun shqiptar. Ai tha se ky është mesazhi kryesor nga tubimi partiak nën moton “Ndryshimi ka filluar”.

Taravari paralajmëroi se javën e ardhshme do të takohet me liderët e partive opozitare nga blloku shqiptar për të përcaktuar një platformë të përbashkët, shkrua Portalb.mk.

“Ende nuk kemi një platformë me partitë opozitare. Këtë javë dua të dëgjoj edhe njerëzit në disa qytete. Prandaj ishim në Kumanovë. Njerëzit kanë energji pozitive. Javën e ardhshme mund të takohem me kryetarët e partive opozitare shqiptare, të ulemi të bisedojmë dhe të vendosim se kur do të bëjmë koalicion zyrtar me ndonjë platformë”, tha Taravari.

I pyetur nëse do të formojë parti të re, pas vendimit të Kuvendit Qendror për shkarkimin e tij, Taravari tha se partia nuk është në pronësi të askujt.

“Aleanca për shqiptarët, nëse është pronë e dikujt, le të dalë dhe të thotë kjo parti është e imja, e kam sjellë nga shtëpia, ia marrim dhe ia kthejmë. Por partia është e votuesve, e anëtarësimit, e njerëzve që e mbështesin. Nëse dikush mendon se është pronë, nuk ka problem, do t’ia çojmë në shtëpi”, thotë Taravari.