Televizioni zviceran: Jo të gjithë serbët e Kosovës refuzojnë të angazhohen në dialog

Radio Televizioni zviceran SRF i ka kushtuar një artikull të gjatë situatës në katër komunat verore të Kosovës, të cilat muajt e fundit kanë qenë subjekt i tensioneve që kanë çuar në një përshkallëzim ku protestuesit serbë sulmuan pjesëtarët e KFOR-it dhe gazetarët nga Kosova pas protestave kundër vendosjes së kryetarëve të zgjedhur në ndërtesat komunale.

SRF e nis artikullin duke shkruar se jete së bashku mes shqiptarëve dhe serbëve është e mundur.

“Nëse flitet për bashkëjetesë mes shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë, zakonisht flitet për konflikt. Por ndërsa situata në veri të Kosovës ka qenë e tensionuar prej muajsh, dy grupet etnike jetojnë në paqe krah për krah në pjesën tjetër të vendit”, – shkruan televizioni zviceran.

SRF më tej trajton përshkallëzimin e fundit që çoi në përleshje fizike midis protestuesve serbë dhe pjesëtarëve të KFOR-it, ku këta të fundit pësuan lëndime.

“Pikërisht këtu (Zveçan) ka ndodhur përshkallëzimi më i dhunshëm në Kosovë prej vitesh në fund të majit. Në atë kohë, demonstruesit serbë sulmuan ushtarët e KFOR-it me shufra hekuri dhe mjete shpërthyese të bëra vetë. Dhjetëra njerëz u plagosën, disa në gjendje të rëndë”- thuhet aty më tej.

Televizioni më tej shkruan për refuzimin e një pjese të qytetarëve serbë që jetojnë në këto komuna për t’u integruar në sistemin shtetëror të Kosovës.

“Bisdetimi me njerëzit tregon se shumica e tyre shqetësohen më shumë se vetëm për kryetarët e bashkive. Ata e shohin veten si qytetarë të Serbisë dhe nuk duan të integrohen në shtetin kosovar. Këtu në Kosovën veriore, jeta duket si në Serbi. Jelena i mëson nxënësit e saj sipas planprogramit serb, ata paguhen me dinarë serbë, pagat dhe pensionet i paguan Serbia, duke përfshirë edhe Jelenën. Kështu duhet të mbetet: ajo refuzon integrimin në sistemin shkollor kosovar. “Kosova po e rishkruan historinë, përfshirë edhe tonën, kjo është e papranueshme”, thotë Jelena.”

SRF ka shkruar edhe për masat e qeverisë Kurti ndaj strukturave paralele dhe synimet e Kurtit për integrimin e komunave veriore në shtetin e Kosovës.

Televizioni shkruan edhe rreth asaj se jo të gjithë serbët përkrahin një qasje “kundër bashkëjetësës dhe integrimit në sistemin shtetërorë të Kosovës”.

Përderisa shumë e shohin bashkëpunimin me shtetin kosovar si tradhti, Nenad Radosavljevic ka një qasje tjetër. Ai punon me kryetarin shqiptar në fshatin e tij të lindjes. “Unë jam një realist, edhe nëse kjo nuk është shumë e njohur për momentin,” thotë Nenad. Nëpërmjet punës së tij, ai mund të ndihmojë në sigurimin e stabilitetit dhe avancimin e projekteve që përfitojnë njerëzit. Ai e sheh problemin në qeveritë e Serbisë dhe Kosovës. Ata donin të dalloheshin në konfliktin me elektoratin e tyre. Ata nuk kujdesen për interesat e popullatës lokale. Meqenëse shumica i marrin pagat dhe pensionet nga Serbia, ata janë të hapur ndaj shantazheve dhe duhet të sillen ashtu siç kërkon presidenti serb Aleksandar Vuçiq. Pra, edhe ai qëndron pas bojkotit të zgjedhjeve lokale. Varësia financiare është edhe arsyeja pse shumë nuk duan të japin emrat e tyre të vërtetë”, shkruan televizioni./Nacionale