‘Termokos’ thotë se do të shpërndajë fatura testuese për 1000 konsumatorë

“Termokos” përmes një postimi të bërë në faqen zyrtare në Facebook ka bërë të ditur se do të bëjë shpërndarjen e faturave testuese për një mijë konsumatorë.

Siç thuhet në njoftim, këta konsumatorë janë përzgjedhur rastësisht, sipas një mostre reprezentative në ato lagje, ku është i shtrirë rrjeti i ngrohjes, përkatësisht tek një pjesë e konsumatorëve, ku tanimë janë instaluar pajisjet matëse.

Këta klientë do t’i marrin dy fatura në pliko, një faturë reale të faturimit sipas sipërfaqes ngrohëse dhe një draft faturë krahasuese sipas konsumit.

Draft faturat testuese të konsumit, që do të shpërndahen me faturat e zakonshme të marsit kanë një shirit të kuq dhe nuk janë paraparë të paguhen.

Projekti “Prishtina HeatSave” përgjatë 18 muaj instalimesh ka arritur të përfundojë objektivin e instalimeve të pajisjeve në 17.500 njësi banesore, të financuar nga agjensioni federal amerikan MCC në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës.

Bëhet e ditur se tashmë është instaluar edhe softueri i faturimit dhe ka filluar procesi i trajnimit të stafit të “Termokos”.