Trafikonte kokainë, 59-vjeçari arrestohet pranë pikës kufitare të Bllatës

Një 59-vjeçar është vënë në pranga për shitje droge në Dibër. Ai u vu në ndjekje nga policia, ndërkohë që qarkullonte nga qyteti i Peshkopisë në drejtim të pikës kufitare të Bllatës.

Në momentin që automjeti ka mbërritur në pikën kufitare të Bllatës, janë ushtruar kontrolle të imtësishme në automjet,  ku si rezultat kanë gjetur të fshehura dhjetëra doza me lëndë narkotike kokainë.

Gjithashtu janë bërë kontrolle edhe në banesën e tij, ku u gjetën 7 pako me lëndë narkotike kokainë, në total rreth 710 gramë kokainë, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale së bashku me një sasi parash, 2 aparate celular, 1 peshore elektronike dhe automjeti tip “Sharon”, në pronësi të 59-vjeçarit R.Ç.

Nga hetimet paraprake rezultoi se 59-vjeçari e ushtronte këtë veprimtari edhe në qytetin e Peshkopisë në afërsi të shkollave dhe në ambiente të ndryshme dhe së fundmi po tentonte të trafikonte kokainë në sasi të vogla  drejt Maqedonisë së Veriut me qëllim shitjen e saj në doza.

Materialet i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme./tch