Trazirat në Zveçan; Një muaj paraburgim për të pandehurin

Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar një muaj paraburgim kundër të pandehurit S.M, për shkak të dyshimit se ka kryer veprat penale “Bashkimi për veprimtari kundër kushtetuese”,  “Rrezikimi i personave nën mbrojtje ndërkombëtare”, “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi” dhe “Sulmi ndaj personit zyrtar”, lidhur me trazirat e majit në Zveçan.

Gjykata përmes një komunikate për media ka bërë të ditur “se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e paraburgimit, duke marrë parasysh mënyrën dhe rrethanat në të cilat janë kryer veprat penale, veçanërisht rrezikshmërinë shoqërore të veprave penale, pasojat nga të cilat janë lënduar shumë pjesëtar të KFOR-it, zyrtarë policorë, gazetarë e qytetarë të tjerë, si dhe dëmet materiale të shumta nga djegia dhe dëmtimi fizik, tregon mjaftueshëm se i pandehuri nëse lihet që të mbrohet në liri do të tentojë që të ndryshojë provat e veprës penale, duke ndikuar në të dyshuarit e tjerë të cilët gjenden të lirë si dhe dëshmitarët tjerë eventualë, po ashtu në rastin konkret ekziston edhe rreziku i ikjes së të pandehurit, i njëjti lehtë mund të arratiset duke marrë në konsideratë faktin se i pandehuri S.M është shtetas edhe i Serbisë dhe nëse lihet në liri, mund të arratisët, andaj në këtë rast caktimi i paraburgimit është i domosdoshëm dhe më se i arsyeshëm”.

Gjykata ka vlerësuar se pandehuri S.M është shtetas edhe i Serbisë dhe nëse lihet në liri, mund të arratisët.

“I pandehuri S.M dyshohet se me një grup të dyshuar ka qenë pjesëmarrës i protestave të organizuara me datë 29.05.2023 para objektit të Komunës se Zveçanit, duke sulmuar pjesëtarë të KFOR-it dhe pjesëtarë të Policisë së Kosovës si dhe duke përdorur shkumë ka tentuar të bëjë bllokimin e ventilimit të veturës së Policisë në të cilën në ato momente gjendeshin të ngujuar brenda në veturë zyrtarë policorë, e  qëllimi i të pandehurit ka qenë që këtyre zyrtarëve policorë t’ju ndalet furnizimi me oksigjen duke rrezikuar seriozisht jetën e zyrtarëve policorë, me çka nga veprimet e këtij të pandehuri përmbushën të gjitha elementet e veprave penale për të cilat dyshohet”, thuhet në njoftim.