Trotinetët elektrikë po i “marrin në qafë” të rinjtë, lëndime serioze në vesh e në kafkë (VIDEO)

Trotinetet elektrik si mjet për qarkullim po përdoren me të madhe kohëve të fundit nga çfarëdo moshe në Kosovë.

Megjithatë, qytetarët të cilët lëvizin me trotinet thonë se Prishtina nuk ka kushte adekuate, ndaj duhet investuar në këtë, në mënyrë që të mos rrezikohet jeta e tyre dhe e të tjerëve.

Ndonëse nuk dihet nëse e pësuan në mungesë të kushteve infrastrukturore apo jo, vetëm, në 24 orëshin e fundit në Klinikën e Emergjencës u trajtuan katër raste me lëndime serioze si shkak i trotineteve dhe skuterëve të vegjël.

Në mesin e tyre edhe dy fëmijë, një katër vjeçar që shqeu veshin, kurse një 7 vjeçare u godit nga vetura sa ishte duke lozur me trotinet.

Derisa dy të rritur e pësuan edhe më rëndë, një 21 vjeçare dhe një 19 vjeçar.

Ky i fundit pësoi lëndime në kafkë ku pas trajtimit në Emergjencën e QKUK-së u dërgua në Klinikën e Neurokirurgjisë për trajtim të mëtejmë.

Teksa, mjeku emergjent, Avdush Bajgora, thotë se rastet e tilla janë shpeshtuar kohëve të fundit, dhe se lëndimet e tilla mund të jenë edhe fatale.

Që qarkullimi me trotinetet elektrik të bëhet sipas rregullave,Komisioni për Mjedis dhe Ministria e këtij dikasteri bashkë me Policinë, po punojnë në plotësim-ndryshimin e Ligjit për Rregullat e Trafikut Rrugor, nen i cili është draftuar nga ky grup punues.

Projektligji më pas pritet të dërgohet në Kuvend.