U rrah brutalisht nga një 76-vjeçar, ky është i moshuari kosovar që vdiq në QKUK

Pas një muaji trajtim në Qendrë Klinike Universitare të Kosovës, burri që pësoi lëndime të rënda trupore në fshatin Hogosht të Kamenicës, ka ndërruar jetë. I ndjeri, nuk arriti t’iu bëjë ballë plagëve dhe vdiq këtë të diele.

Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se i ndjeri është Alim Sermaxhaj, 77-vjeçar.

Ai ishte dërguar në QKUK për trajtim, për shkak të lëndimeve të rënda që kishte pësuar më 28 qershor të këtij viti si pasojë e një konflikti.

Bazuar në burimet brenda Prokurorisë, gazeta kishte raportuar se 77-vjeçari kishte një konflikt verbal me një burrë tjetër, e që më pas 76-vjeçari dyshohet se e ka përplasur për toke Sermaxhajn duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore.

I dyshuari ishte arrestuar dhe ishte shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Lëndim i rëndë trupor’.