U15/ Kosova barazon në miqësoren e parë me Shqipërinë

Kombëtarja e Kosovës U15 ka barazuar (0:0) në miqësoren e parë kundër Kombëtares së Shqipërisë U15, që u zhvillua sot në “Kukës Arena”.

Përzgjedhësi Ilir Nallbani, në këtë ndeshje kishte në dispozicion gjeneratën e re te kësaj grupmoshe, andaj edhe miqësorja e sotme shërbeu më shumë që lojtarët ta njohin më mirë lojën e njëri – tjetrit. Nallbani e nisi ndeshjen me këtë përbërje: Lekë Qarri, Bardh Rapuca, Eron Karaqica, Aldin Gashi, Almir Krasniqi, Art Rexhepi, Eris Balaj, Butrint Ademi, Kron Avdiu, Eri Berisha dhe Dion Sylaj. Të dyja ekipet patën paraqitje të mirë dhe krijuan disa raste të mira shënimi, por asnjëra nuk arritën të gjejnë rrugën e golit.

“Kjo ishte ndeshja e parë zyrtare me këtë grupmoshë (lojtarë të lindur në vitin 2010). Angazhimi ka qenë maksimal nga ekipi ynë dhe ne si staf jemi shumë të kënaqur me paraqitjen e futbollistëve tanë. Krijuam shumë raste dhe patëm mundësi për të fituar takimin, por barazimi ishte rezultat korrekt, pasi edhe kombëtarja e Shqipërisë  pati rastet e saj. Megjithatë, në fund jemi të kënaqur me angazhimin dhe paraqitjen e futbollistëve tanë”, tha Nallbani pas ndeshjes.

Miqësorja e dytë do të luhet më 30 maj në orën 11:00, po ashtu në “Kukës Arena”.