UEFA Academy përgëzon FFK-në

UEFA Academy ka përgëzuar Federatën e Futbollit të Kosovës për organizimin e parë të programit CFM (Certificate Football Menagment).

“Urime Federata e Futbollit e Kosovës për organizimin e certifikatës së parë UEFA në Menaxhimin e Futbollit. Seminari ynë i fundit, i mbajtur në kryeqytetin e Kosovës, shfaqi njohuritë dhe aftësitë e shkëlqyera të pjesëmarrësve tanë të përkushtuar. Ata e kanë përfunduar me sukses një provim oral sfidues dhe kanë bashkëpunuar në një simulim të Ligës së Kampionëve të UEFA-s. Jemi shumë të lumtur që shohim Federatat Kombëtare të reja që e përqafojnë rrugën e edukimit dhe UEFA CFM është programi perfekt për të filluar! Federata e Futbollit të Kosovës është anëtareja më e re që iu bashkua UEFA-s dhe ne ndihemi mjaft krenarë që jemi pjesë e udhëtimit të tyre të edukimit dhe u dëshirojmë sukses të vazhdueshëm në karrierat e tyre. Urime të gjithë të diplomuarve tanë të sapo certifikuar për këtë arritje të jashtëzakonshme dhe përkushtimin e tyre të palëkundur për rritje dhe mësim. Faleminderit shumë Federatës së Futbollit të Kosovës dhe të gjithë pjesëmarrësve që e bënë këtë event të suksesshëm në edicionin e parë!”, ka shkruar UEFA Academy në faqen e saj zyrtare në Linkedin.

Do theksuar se në këtë program ishin të përfshirë 30 pjesëmarrës, prej të cilëve 20 nga klubet kosovare dhe 10 të tjerë nga federatat e tjera si Malta, Portugalia, Italia, Finlanda, Franca, Izraeli, Greqia dhe Shqipëria.

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi në ceremoninë e diplomimit të pjesëmarrësve shprehu mirënjohjen e tij të thellë ndaj UEFA-s, për partneritetin e jashtëzakonshëm dhe të vazhdueshëm në zhvillimin e futbollit në Kosovë. Ai gjithashtu falënderoi ekipin e FFK-së për angazhimin e tyre të pakursyer në këtë program, si dhe përgëzoi të gjithë pjesëmarrësit për kontributin e tyre në suksesin e këtij projekti të rëndësishëm.