Ukraina: Faleminderit Prishtinës për ndihmën, rreth KiE vendosim në bazë të drejtës ndërkombëtare dhe interesit tonë

Republika e Kosovës është duke bërë përpjekje që të sigurojë përkrahjen e mjaftueshme në Komitetin e Ministrave në mënyrë që të anëtarësohet përfundimisht në Këshill të Evropës.

Përveç shteteve aleate që janë të përfshira në dialogun e Brukselit e të cilat po e kushtëzojnë votën “pro” me nisjen e procedurave për themelimin e Asociacionit, vështirësi për Kosovën janë edhe shtetet që vazhdojnë të mos e njohin pavarësinë e Kosovës.

Një ndër to është edhe Ukraina, e cila është duke u përballur me agresionin e paprecedent të Rusisë së Vladimir Putinit. Kosova qysh në fillim të sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës është rreshtuar krahas demokracive të botës duke dënuar aktet e Rusisë dhe duke i ofruar Ukrainës përkrahje në përballje me agresionin rus.

Por, a do ta ketë Kosova përkrahjen e Ukrainës dhe votën “pro” në Këshill të Evropës. Në një përgjigje ekskluzive për Gazetën Express nga Ambasada e Ukrainës në Beograd kanë argumentuar fillimisht për rëndësinë e respektimit të kufijve të shteteve duke thënë se respektimi i pakushtëzuar i normave të së drejtës ndërkombëtare nga të gjithë anëtarët e bashkësisë ndërkombëtare është e një rëndësie jetike për Ukrainën dhe potencojnë se në fund të fundit janë duke e ndjerë vetë se çfarë ka sjellë shpërfillja e parimeve të tilla.