Vazhdohet edhe për dy vjet njohja e statusit për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës

Kuvendi i Kosovës e ka miratuar në lexim të parë projektligjin që e vazhdon edhe për dy vjet njohjen e statusit për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës.

Këtë projektligj e arsyetoi ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, i cili tha se afati për aplikim do të jetë deri më 15 maj 2025.

“Propozimi është që aplikimi për njohjen e statusit për të gjithë personat që kanë përjetuar dhunë seksuale gjatë luftës të vazhdohet edhe për dy vjet, më konkretisht deri më 15 maj 2025”, tha ai.

Ndërsa sipas deputetes së PDK-së, Eliza Hoxha, nuk duhet të ketë afat kohor për njohjen e statusit të viktimave seksuale gjatë luftës.

“Afati nuk duhet të jetë i zgjatur vetëm për dy vjet, duhet të jetë afat i lirë. Pavarësisht se kur viktima në çfarëdo rrethane ndihet i lirë për të adresuar çështjen e vet që e trajton atë si viktimë civile, procesi duhet të jetë i hapur dhe nuk duhet të ketë kufizime kohore”, theksoi ajo.