Vazhdon bojkoti i serbëve në Veri: Pas zgjedhjeve të vitit të kaluar, s’marrin pjesë as në votimin për shkarkimin e kryetarëve

Lista Serbe dhe qytetarët serbë në Veri, të paktën deri tani, kanë bojkotuar votimin që po mbahet në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan.

Kryetari i Listës Serbe, Zlatan Elek, fiks dy javë më parë kishte njoftuar për mospjesëmarrjen e tyre në këtë proces. Ai e konsideroi “jolegjitim” këtë votim, pasi sipas tij kryeministri Kurti “bëri gjithçka që referendumi të mos ketë sukses”. Elek u ankua edhe për vendimin e KQZ’së për vendosjen e kamerave në vendvotime.

Deri në orën 11:00, sipas të dhënave të prezantuara nga kryetari i KQZ’së, për të votuar në tri komunat kanë dalë 85 persona, ndërkaq në Zveçan asnjë. Konferencën e radhës KQZ do ta mbajë në orën 15:30, ku do të tregojë për pjesëmarrjen në votim.

Pas njoftimit të Listës Serbe për bojkot, shtetet e QUINT’it dhe BE kishin lëshuar një deklaratë të përbashkët, ku thonin se ju vjen keq për “deklaratat e Listës Srpska dhe aktorëve të tjerë politikë serbë të Kosovës që bëjnë thirrje për tërheqje nga pjesëmarrja në këtë votim për tërheqjen e kryetarëve të komunave”.

“Pjesëmarrja demokratike është thelbësore për të siguruar që institucionet e zgjedhura të jenë përfaqësuese të popullatës që u shërbejnë. Votimi është një liri kritike e shoqërive demokratike.”

Ato i kishin bërë thirrje Listës Serbe që të rishqyrtojnë vendimin për të mos marrë pjesë në votimin e 21 prillit, mirëpo siç duket thirrja e tyre ka hasur në vesh të shurdhër.