Veteranët e rrejshëm: Gati 3 muaj pas kthimit në rigjykim, s’dihet asgjë për fatin e rastit ‘Veteranët’

26 prilli ishte dita kur një nga rastet më të diskutuara në Kosovë, u kthye në rigjykim. Fjala është për rastin Veteranët, ku me drejtësinë do të përballen sërish 12 të akuzuar.

Që nga koha kur ky rast u kthye në rigjykim, për veteranët u diskutua më së shumti në lidhje me pagën minimale. Madje, pati edhe protesta nëpër rrugë. Arsyetimi e qeveritarëve që i larguan veteranët nga rritja e pagës minimale, ishte se duhet të ketë pastrim të listave.

E ata që akuzohen se i ‘përlyen’ listat sipas qeverisë, edhe gati 3 muaj pas kthimit në rigjykim, nuk kanë dalur asnjëherë para gjykatës. Gjyqtari i rastit është caktuar Gazmend Bahtiri, megjithatë ai deri më tash nuk e ka thirrur asnjë seancë.

Avokati Arianit Koci, i cili në këtë çështje e përfaqëon anëtarin e komisionit qeveritar për njohjen dhe statusin e veteranit Shkumbin Demaliaj, i ka thënë gazetës Nacionale se ende nuk kanë pranuar ftesë nga gjykata

“Jo, unë ende nuk kam marrë ftesë”, është përgjigjur shkurt Koci.

Edhe avokati Tahir Rrecaj, i cili është mbrojtës i të akuzuarit Nuredin Lushtakum gjithashtu anëtar i komisionit, ka thënë se nuk e kanë pranuar ftesën nga gjykata.

“Jo, ne deri më tash nuk kemi marrë ftesë. Ende nuk është caktuar seanca, rasti siç e dini është kthy në rigjykim, ftesa ende nuk kemi marrë”, u shpreh Rrecaj.

Avokati insistoi për gazetën Nacionale se klienti i tij nuk është fajtor në këtë rast, megjithatë “patentën” e shpalljes fajtor ose jo e mban gjykata e cila procesin nuk po e fillon tash e tre muaj.

“Për Nuredin Lushtakun të cilin unë e përfaqësoj ka qenë vendim i padrejtë, ai ka marrë pjesë vetëm në një mbledhje të komisionit për verifikimin e katogrive të dala nga lufta. Në atë mbledhje nuk është marrë asnjë vendim meritor, se kujt t’i njihet statusi i veteranit apo jo. Për mua mbetet befasuese edhe vetë aktakuza, por edhe më befasuese është vendimi i apelit për ta kthyer në rigjykim rastin, sidomos për klientin tim, Nuredin Lushtakun”, deklaroi avokati.

12 anëtarët e Komisionit Verifikues për Veteranët, u patën shpallë të pafajshëm nga gjykata e shkallës së parë.

Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari, nuk ia dolën që të ndihen të “çliruar” nga këto akuza.

Kjo pasi gjykata e shkallës së dytë, e riktheu në rigjykim lëndën e tyre,

Ish ushtarët e UÇK-së, do t’i rikthehen edhe njëherë nga fillimi procesit gjyqësor, nën dyshimet se si anëtar të Komisionit Qeveritar për verifikimin e statusit të veteranit, invalidit e dëshmorit të UÇK-së, në mënyrë të qëllimtë nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre dhe i kanë keqpërdorur të njejtat në mënyrë që të tjerëve t’u sjellin përfitim pasuror.

“Veteranët” e pafajshëm

Me datë 19 janar të vitit 2021, 12 të akuzuarit në rastin “Veteranët” të akuzuar për “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” u shpallën të pafajshëm.

12 të akuzuarit u patën liruar nga akuza pasi që Gjykata nuk pati gjetur prova se të njëjtit kanë kryer veprën penale për të cilën janë akuzuar nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës.

Apeli e kthen në rigjykim

Pas më shumë se një viti shqyrtim nga shkalla e dytë, kjo e fundit me datë 28 prill 2022, ka vendosur ta rikthejë rastin në rikgjykim. E gjitha kjo sipas apelit, sepse në Themelore, pati shkelje procedurale dhe shtrembërim të gjendjes faktike në terrën.

Gjykata e Apelit në vendimin e saj ka vlerësuar këto dy shkelje.

Shkelja kryesore në vendimin e Apelit, kishte të bënte me faktin se gjykata në shkallën e parë ka vërtetuar në mënyrë të gabuar faktet thelbësore, që kanë të bëjnë me miratimin e listave.

“Komisioni ka miratuar listat përfundimtare me datë, 17.05.2016 sipas raportit nr. 1737 ku edhe i ka rekomanduar ato lista në Qeveri, rrjedhë se miratimi i listave ndërlidhet me ligjin e veçantë nr.261, në këtë kuptim Gjykata e Apelit ka gjetur se shkalla e parë ka vërtetuar në mënyrë të gabuar faktin më thelbësor që ka të bëjë me miratimin e listave nga komisioni, në këtë çështje penale kur mbështetet në normat ligjore sipas së cilave të akuzuarit në cilësinë e anëtarëve të komisionit kanë vepruar dhe se kanë qenë dy ligje në fuqi kur kanë vepruar”, thuhet në arsyetimin e vendimit të Gjykatës së Apelit.

Gjykata e Apelit tutje thekson se duke vërejtur se si fakt vendimtar në aktgjykim është pretenduar nga prokuroria se bëhet fjalë për 19 mijë e 500 aplikacione të cilat ndërlidhen me kategorizimin e këtyre aplikuesve, nga shkresat e lëndës rrjedhë se këto aplikacione nuk janë administruar si provë, por janë administruar listat si tërësi në numër prej 19 mijë e 500.

Tutje, në këtë vendim thuhet se duke mos u administruar si provë aplikacionet, gjykata nuk ka vërtetuar në mënyrë të plotë gjendjen faktike lidhur me këtë fakt vendimtar, ngase fakti këtu është shtruar se këto aplikacione sipas të dhënave që ato mbajnë, a janë këto aplikacione me përmbajtje siç pretendonte prokuroria, se ishin me kategori, mbështetje politike, logjistike, financiare, mbështetje mjekësore dhe detyra tjera të caktuara nga komandantët e njësive, shtabeve dhe zonave të UÇK-së.

Në arsyetim thuhet edhe se Apeli fillimisht ka vlerësuar se gjykata e shkallës së parë gabimisht ka vërtetuar faktin se te akuzuarit kur kanë vepruar kanë qenë dy ligje të veçanta në fuqi, kjo për shkak se Ligji nr.04/L-054, në nenin 12 ka përcaktuar rregullimin e kategorive dhe të beneficioneve me ligj të veçantë, gjë që ligji i veçantë nr.04/L-261 në nenin 2 përcakton fushëveprimin që e ndërlidh se fushëveprimi i këtij ligji është i mbështetur në ligjin 054 në nenin 12, sipas së cilit nen parashihet nxjerrja e ligjit të ri.

Kujtojmë se rasti “Veteranët” është një ndër rastet më sfiduese për drejtësinë në Kosovë.

Kjo edhe për shkak të ndjeshmërisë së temës por edhe historikut të saj, me prokurorin Elez Blakaj, përplasjen e tij me ish-kryeministrin Haradinaj e pastaj përfshirja edhe e vet Kurtit në këtë çështje.