Videoja e LVV-së me “sukseset”, Azemi i LDK-së: Shpifjet s’e ndryshojnë realitetin, bashkëjetuam me dështimet e Qeverisë

Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Visar Azemi ka shkruar “propaganda nuk kalon!” në Facebook, pasi Lëvizja Vetëvendosje publikoi një video dyminutëshe me punët “si asnjëherë më parë” që u tha se u bënë gjatë këtyre tri viteve qeverisje.

“PROPAGANDA NUK KALON! Propagandistët në pushtet paskan bërë orvatje që tre vite mandat t’i përmbledhin në një video dy minutëshe. Natyrisht që minutazhë e madhe kjo në përpjekjen për të numëruar suksese, prandaj qenkan detyruar që në shumicën e saj të mashtrojnë”, shkroi Azemi.

Ai shkroi se “shpifjet” e pushtetit “nuk e ndryshojnë realitetin e hidhur të regresit të Kosovës gjatë tre viteve të Kurtit në pushtet”.

“Shpifjet për arritje në shëndetësi, arsim, energji, bujqësi, ekonomi e çdo dikaster tjetër të përcjellura me fotografi e video të bukura, nuk e ndryshojnë realitetin e hidhur të regresit të Kosovës gjatë tre viteve të Kurtit në pushtet”, shkroi Azemi.

“Vetëm tellallët e zyrës së mediave të VV-së mund të flasin për suksese të pushtetit dhe zhvillim të Kosovës. Kushdo që ka jetuar këtu këto tre vite ka bashkëjetuar me dështimet e kësaj qeverie e stagnimin e shtetit”, shtoi ai.