Vitia i sigurt: S’do të ketë rritje të çmimit të barnave

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka siguruar sot se nuk do të ketë rritje të çmimit të barnave. Ai tha se me listën zyrtare të çmimeve të produkteve medicinale në vend barnat do të blihen me çmim shumë më të ulët se sa kushtojnë aktualisht, përcjell Gazeta Express.

Vitia gjatë raportimit në Komisionin për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale tha se kjo listë tashmë është nënshkruar.

“E kam nënshkruar një listë të cilën e ka punuar komisioni. Ju i bëtë disa kalkulime me aspirinën thuajse ky ligj ka hyrë në fuqi…ende nuk ka hy në fuqi ky ligj…në momentin që e kam nënshkruar, kam marr disa informacione që janë përvjedhur disa gabime, të ngritjes së çmimeve nga 100 për qind në 3000 për qind ashtu siç thatë ju. Duhet me Komisionin e ankesave të reagojmë ashtu siç edhe kemi bërë. Dhe pas kësaj kemi marr masat për anulimin e listës. Po flasim për një proces që po bëhet për herë të parë në Kosovë. S’ka pasur ligj që e përcakton tavanin e barnave”, tha ai.

Tutje ai tha se me këtë listë barnat do të jenë me çmim më të ulët jo vetëm në Kosovë por edhe në rajon.