Vjet e sivjet Policia e angazhuar në mbrojtjen e Kurtit, Krasniqit e Abdixhikut – kush po i rrezikon liderët politikë të Kosovës?

U raportua se një “tentativë atentati” ndaj kryeministrit u planifikua të realizohej në fundjavë në Shkup. Qeveria e lidhi me paraqitjen e Albin Kurtit në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.  Në fund të vitit të kaluar, dy liderët e opozitës, Memli Krasniqi dhe Lumir Abdixhiku u morën në mbrojtje nga Policia e Kosovës. Kush po i rrezikon ata?

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ishte në Shkup në fundjavë, ndërkohë që Radio Televizioni i Kosovës, duke u thirrur në burime brenda institucioneve të sigurisë, raportoi për një plan për atentat ndaj tij. Sipas RTK-së, plani ishte që atentati të kryhej “nga atentatorë të mundshëm të ekstremit serbo-maqedonas, të afërt me Federatën Ruse, por nën kontrollin e institucioneve serbe”.

Pasi u kthye nga Shkupi, Kurti tha se pa shumë forca policore në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut, ku qëndroi të premten në mbrëmje dhe të shtunën, duke konfirmuar në njëfarë mënyre se për sigurinë e tij ishin marrë masa të rrepta sigurie.

“Kam mësuar që ka shumë kërcënime nga individë e struktura të cilat i kanë rrënjët e tyre në Beogradin zyrtar. Sa erdha nga Shkupi. Nuk jam ndier i rrezikuar, por kam parë që kishte shumë forca policore që u kujdesën për këtë mbledhje që e mbajtëm, e ku mysafiri special ishte përfaqësuesi i SPD-së gjermane, Lars Klingbeil”, tha kryeministri, i cili mori pjesë në takimin rajonal me udhëheqës të partive simotra, të organizuar nga Fondacioni Friedrich-Ebert-Stiftung.

Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu tha se Serbia i shtoi kërcënimet pas përballjes së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së në New York.

Institucionet e sigurisë në Maqedoninë e Veriut mohuan se pati rreziqe të tilla. “Nuk ka pasur asnjë tentim për atentat ndaj tij”, tha Ministria e Punëve të Brendshme në Shkup. Të painformuara për këtë u shprehën edhe organet e ndjekjes në Kosovë. Ushtruesi i detyrës i kryeprokurorit të Shtetit, ashtu si kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, thanë se nuk kishin informacione të tilla./Express