Vogel: Pa e çuar Statutin e Asociacionit në Kushtetuese vështirë për Kosovën të anëtarësohet në KiE

Eksperti nga Këshilli për Politika dhe Demokratizim në Bruksel, Toby Vogel, ka thënë se Perëndimi po përpiqet ta përdorë anëtarësimin në Këshillin e Evropës si presion mbi Qeverinë e Kosovës për të formuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Ai nuk e përjashton mundësinë që ndonjëri prej vendeve të QUINT-it ta shtyjë votimin në Këshillin e Evropës.

“Ajo që mund të bëjë Kosova, është ta dorëzojë draft-statutin e Asociacionit në Gjykatën Kushtetuese dhe ta çojë përpara çështjen e formimit të tij. Është një gjë jo e këndshme politikisht, por pa e bërë këtë, nuk mendoj se do të ketë përparim drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës”, tha Vogel për Radio Evropa e Lirë.

Vogel thotë se BE-ja dhe vendet e saj anëtare duhet ta shfrytëzojnë largimin e ndërmjetësuesve evropianë, Josep Borrell dhe Mirosllav Lajçak, si një mundësi për ta rivlerësuar qasjen e tyre aktuale ndaj dialogut Kosovë-Serbi.

“Nevojitet një fillim i ri si në personel, ashtu edhe në format të dialogut. Perëndimi duhet t’i ndryshojë stimujt nën të cilët vepron lidershipi i Kosovës dhe ai i Serbisë. BE-ja dhe SHBA-ja duhet ta kuptojnë se Vuçiq do të vazhdojë ta luajë lojën e tij aktuale, nëse rregullat e lojës nuk ndryshojnë”.

“Kjo do të thotë të bëhesh i ashpër ndaj tij për shkak të destabilizimit të rajonit me programin e tij irredentist të ‘botës serbe’, e jo ta ftosh atë për të darkuar në Pallatin Elysee dhe t’i shesësh avionë të avancuar luftarakë”, thotë Vogel.

Vogel i referohet një takimi që ka zhvilluar javën e kaluar Vuçiq me presidentin e Francës, Emmanuel Macron, në Paris. Pas atij takimi, Vuçiq ka thënë se ka arritur marrëveshje për blerjen e avionëve luftarakë nga Franca, ndërsa Macron ka thënë se vendi i tij do të sigurohet që secila pikë e Marrëveshjes së Ohrit të zbatohet.