Von Cramon: BE-ja s’ka bërë gabime në dialog, të gjithë e paralajmëruan Kurtin por ai vazhdoi

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Vron Cramon ka thënë se Bashkimi Evropian nuk ka bërë ndonjë gabim në qasjen ndaj dialogut Kosovë-Serbi.

Në një intervistë për “EuroActiv”, ajo ka deklaruar se nuk ka parë ndonjë gabim të BE-së sa i përket dialogut.

“…Kur vjen te dialogu, në veçanti, në secilin hap…Nuk kam parë që BE-ja ka bërë ndonjë gabim.” – u shpreh ajo.

Sipas saj madje, BE-ja “është munduar shumë”, por ka një mungesë të vullnetit politik tek të dyja palët, dhe eskalimet së fundi nuk e kanë ndihmuar situatën.

Ajo madje, ka folur edhe për kryeministrin Kurti, duke thënë se ai ishte paralajmëruar edhe më herët.

“Por eskalimi i fundit, sidomos në veri, ka qenë shumë i parashikuar. Dhe të gjithë e paralajmëruan kryeministrin Albin Kurti që mos të vazhdonte, por ai e bëri megjithatë.” – tha ajo.

“Nëse nuk dëshiron të bashkëpunosh, pavarësisht asaj që njerëzit dhe miqtë të këshillojnë, atëherë po, do të përballesh me kritika. Është kaq e thjeshtë.” – ka deklaruar tutje Von Cramon.