Vrasësi gjakftohtë zbrazi një karikator mbi viktimën dhe të vëllanë e saj

Gjykata Themelore në Ferizaj ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e paraburgimit kundër të pandehurit V.A, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale vrasje e rëndë.

Në kërkesën e prokurorisë për paraburgim tridhjetëditor, kërkesë kjo e aprovuar nga gjyqtari i procedurës paraprake, bëhet e ditur se i pandehuri V.A., e kishte zbrazur gjithë karikatorin në tashmë viktimën E.C. dhe të vëllanë e saj.

Këtë të fundit e plagosi, ndërsa ish-bashkëshorten e qëlloi disa herë në kokë, ndërsa në të dy njoftimet, të prokurorisë e gjykatës thuhet se i njëjti qëlloi me armë në pjesën më të ndjeshme, duke shfaqur kështu gjakftohtësi të theksuar.

“…ekziston dyshimi i bazuar, se me datë 12 Prill 2024, rreth orës 14:40, i pandehuri brenda zyrës së Qendrës për Punë Sociale në rr.”Vëllezërit Gërvalla”, në Ferizaj, me dashje ka privuar nga jeta të ndjerën E.C, me të cilën ka bashkëjetuar duke e goditur disa herë  me armë plumba në kokë, ndërsa ka shtënë edhe në drejtim të miturit D.C (vëllai i të ndjerës) duke e plagosur në krahë. Po ashtu ka vlerësuar se i pandehuri në kundërshtim me ligjin për armët, pa autorizim ka mbajtur në pronësi pistoletën e tipit Zoraki M 2906-T, me numër serik ZRAGY02 201100027 cal.9mm, me një karikator të zbrazur, e cila me datë 12 prill i është konfiskuar nga Policia”.