Vrasja në Podujevë: Policia kërkon ndihmë për kapjen e të dyshuarit

Policia e Kosovës ka publikuar fotografinë e një personi që dyshohet për vrasjen e muajit të kaluar në Podujevë.

Bëhet fjalë për Lordi Arsim Sulja nga fshati Gllamnik i Podujevës, i cili ka edhe nënshtetësi holandeze.

Policia ka kërkuar ndihmë nga qytetarët që të bashkëpunojnë për kapjen e autorit të dyshuar.

Postimi i plotë:

Kërkesë për bashkëpunim për vendodhjen personit të dyshuar

Njësiti i hetimeve të përgjitshme që operon në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prishtinë, me autorizim nga prokuroria kompetente, kërkon ndihmë nga qytetarët në ofrimin e informatave, të cilat do të ndihmonin në arrestimin e personit të dyshuar.

I dyshuari Lordi Arsim Sulja nga fshati Gllamnik, me nënshtetësi Holandeze, kërkohet për vrasjen e rëndë që ka ndodhur me 11.09.2023, në Podujevë.

Të nderuar, për çdo informatë që mund të çojë në identifikimin e vendodhjes së personit të dyshuar kontaktoni policinë në numrin e telefonit: 192.