Vuçiq bën pak filma: Anulon vizitat jashtë vendit, takon ambasadorin rus dhe fton qeverinë të diskutojë për Kosovën

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, do të mbajë sot një seancë të jashtëzakonshme të qeverisë serbe, ku do të dorëzojë një raport për Kosovën pas bisedimeve që pati me përfaqësuesit e Listës Serbe.

Ky takim i Vuçiq me qeverinë e tij vjen pas paralajmërimeve të Listës Serbe se do të largohen nga të gjitha institucionet e Kosovës.

“Qeveria e Serbisë nesër do të mbajë një seancë ku presidenti Aleksander Vuçic do të dorëzojë raportin për bisedimet me përfaqësuesit e serbëve nga Kosova, të cilët paralajmëruan tërheqjen e tyre nga të gjitha institucionet e Prishtinës për shkak të lëvizjeve të fundit të kryeministrit Albin Kurti”, raporton Radio Televizioni i Serbisë.

Gjithashtu, siç pretendon RTS, për shkak të situatës në Kosovë, Vuçiq ka anuluar të gjitha vizitat zyrtare jashtë vendit, por do të zhvillojë takime në Beograd me ambasadorin kinez Chen Bo, e më pas edhe me ambasadorin rus, Aleksandër Bocan Harchenko.

“Vuçiç anuloi të gjitha vizitat jashtë vendit dhe i kërkoi falje presidentit egjiptian Abdel Fattah el-Sisi për anulimin e pjesëmarrjes së tij në takimin e madh COP 27, i cili është mbajtur në Sharm el-Sheikh që nga 7 nëntori ku do të marrin pjesë të gjithë liderët botërorë, nga presidenti amerikan Joe Biden, presidenti francez Emmanuel Macron, presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, Mohammed bin Zayed e të tjerë”, thotë RTS.