Vuçiq dhe Kurti takohen së shpejti, kjo është marrëveshja që të dy liderët e kanë në tavolinë

Qeveria gjermane ka njoftuar zyrtarisht se së bashku me Francën qëndron pas propozimit për kornizën e re të marrëveshjes përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë, që i është ofruar së fundmi kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Vetë fakti që Berlini ka konfirmuar se ai është një nga iniciatorët e atij dokumenti flet në favor të faktit se propozimi për kornizën e re po shqyrtohet seriozisht. Ai me gjasë do të jetë në tavolinë gjatë takimit Kurti-Vuçiq, i cili sipas njoftimeve mund të mbahet në fund të tetorit.

Emërimi i Emanuel Bonn dhe Jans Plettner, këshilltarë të Emannuel Macron dhe Olaf Scholz, ka përshpejtuar aktivitetet për zgjidhjen e konfliktit të ngrirë mes Kosovës dhe Serbisë. Kurti dhe Vuçiq tani kanë në tavolina një ofertë që të dyja palët po e shqyrtojnë.

Sipas propozimit të Gjermanisë dhe Francës, me nënshkrimin e asaj draft-marrëveshjeje, Serbia do të merrte përsipër që të mos e kundërshtojë hyrjen e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, pra as në Kombet e Bashkuara. Nga ana tjetër, sipas Vuçiqit, Serbia do të hynte shpejt në BE me një ndihmë të madhe financiare.

Lajm fantastik sot për pensionistët

Ekzistencën e një propozimi të tillë e ka konfirmuar edhe kryeministri Albin Kurti. Këtë e ka komentuar edhe qeveria gjermane, e cila ka pohuar se është e vërtetë se me Francën ka bërë një propozim në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Për atë dokument aktualisht po zhvillohen diskutime konfidenciale dhe pritet të jetë temë e takimit të ardhshëm Kurti-Vuçiq. Sipas deklaratave të zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi shtatë ditë më parë, takimi mes tyre mund të mbahej deri në fund të muajit tetor.

Dialogu Kosovë-Serbi ka nisur në Bruksel, në vitin 2011, fillimisht për çështje teknike, për të evoluar më pas, në vitin 2012, në dialog politik. Qëllimi i dialogut që lehtësohet nga Bashkimi Evropian, është normalizimi i plotë i marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

Kryeministri Kurti dhe presidenti Vuçiq u takuan për herë të fundit në Bruksel më 18 gusht.

Palët kanë dallime të mëdha sa i përket përfundimit të procesit të dialogut. Kosova kërkon që një marrëveshje përfundimtare të përfshijë njohjen reciproke, ndërkaq Serbia ka thënë se dëshiron një zgjidhje kompromisi, pa specifikuar se çfarë do të nënkuptonte një zgjidhje e tillë.