Vuçiq luan “heroin”: Reduktimet në Kosovë do të vrasin njerëz, ne mund t’ju dhurojmë rrymë

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka tentuar të luaj “heroin”, në kohën kur qytetarët e Kosovës po përballen me reduktime të energjisë elektrike. Ai ka thënë se mund t’i dhurojë rrymë vendit, pasi që sipas tij, ndërprerjet mund të vrasin njerëz.

Këto deklarata, Vuçiq i bëri sot në një konferencë për media, ku tha se në Kosovë, rryma po ndalet për çdo ditë.

“Në Kosovë çdo ditë e ndalin rrymën, eja të provojmë e të ndihojmë, të kursejmë pesë ose dhjetë ditë. Këto ndërprerje do të vrasin njerëz, do të vrasin makineritë në shtëpi. Eja të provojmë e të kursejmë, pesë apo dhjetë ditë”,tha ai.

Duke folur për reduktimet, për të cilat ai tha se ndikojnë edhe te serbët, e edhe të shqiptarët, Vuçiq i ofroi rrymë Kosovës, transmeton Nacionale.

“Nëse ne mund t’ju japim energji elektrike kur e kemi, atëherë le t’ua japim. Le të flasim për këtë, dhe jo vetëm të flasim se Vuçiqi nuk është i gatshëm për normalizimin dhe se nuk jam ende i gatshëm që ta njoh pavarësinë e Kosovës”, tha Vuçiq.