Vuçiq në fushatë zgjedhore i thotë “një mijë herë jo” kushtit të Kurtit për nënshkrim të Marrëveshjes Bazike

Vështirë është të thuhet me siguri nëse është përnjëmend “kusht”; ngase artikulimin e kushteve dhe të mos qëndruarin prapa atyre e ka markë shënjuese në personalitetin politik të tij.

Por, tash Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka “kushtin” e radhës: firmosjen e Marrëveshjes Bazike bashkërisht me Aneksin e Ohrit dhe draft-Statuti të të Asociacionit të Komunave të banuara me shumicë serbe; në mënyrë që ajo, sipas tij, të jetësohet.

Frazimi i tij i radhës për këtë kusht – që s’dihet sa kohë do të qëndrojë – është se “veç nënshkrimi nënkupton pranim dhe garanton zbatim”.

Kjo si një “siguresë” juridike më e gjallë se sa thjesht nënshkrimi verbal.

Është ky lloj rezervimi (për të mos nënshkruar) pas pajtimit që përkeqësoi gjendjen në terren”, tha ai ditëve të fundit.

Zëvendësi i tij, Besnik Bislimi, jehoi të njëjtën linjë pas takimit në nivel kryenegociatorësh në Bruksel se Draft-Statuti i Asociacionit “mund të konsiderohet i pranuar vetëm kur të nënshkruhet në pako me Marrëveshjen Bazike dhe Aneksin implementues”.

Se kush ua dëgjon këtë kërkesë, publiku nuk e di; e për më tepër i është flakur tutje nga Kancelari Gjerman, Olaf Scholz, Presidenti i Francës, Emmanuel Macron dhe Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni që “formalitetet e adoptimit (lexo: nënshkrimi) nuk duhet të jenë pengesa” të jetësimit të marrëveshjes për normalizim të marrëdhlnieve.

Kurti e quan “nënshkrimin e njohes de facto” si “hap të parë”.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, sot e përsëriti qëndrimin e tij se “nuk bëhet fjaë” që të ketë firmosje të marrëveshjes; dhe se “këtë e kam thënë 1 mijë herë”.

Thjesht vini në Bruksel dhe thuani ‘nënshkruaj’; për atë që u kam thënë që s’është e mundshme…e kam thënë këtë që s’do të nënshkruaj në vendet më të vështira, para Scholz-it, Macron-it, Melonit, Michel-it, Borrell-it e Lajçakut. Që të gjashtë prej tyre kanë qen aty”, ka thënë Vuçiq.

Ua kam thënë në fytyrë”, e përsëriti Vuçiq para gazetarëve në Beograd.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë më të zëshmit në atë që këmbëngulja e Kurtit për firmosje “është shpërqendruese” dhe se marrëveshja është ligjërisht dhe ndërkombëtarisht e detyrueshme ashtu siç është.

Është miratuar nga instancat e larta evropiane dhe është ingranuar si kusht për krejt integrimin dhe rrugëtimin evropian të vendit. Pra, për ta është punë e kryer kur marrëveshja është pranuar në Bruksel dhe Ohër dhe përbën detyrim ndërkombëtar për vendin.

Por, çka është kjo puna e nënshkrimit? Kosova asnjëherë nuk ka nënshkruar marrëveshje me Serbinë, por vetëm kanë vendosur inicialet si konfirmit të tekstit; gjë që edhe Kurti mund ta bëjë kur të dojë.

Nga 33 marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë që nga nisja e dialogut vetëm 10 prej tyre “janë inicializuar” që nuk është nënshkrim, por thjesht konfirmim i tekstit.

Madje nga opozita i kanë reaguar ashpër Kurtin teksa ky i fundit për ta paraqitur si një shkallë më të lartë e më të avancuar marrëveshjen e tij i akuzonte se “me juve Vuçiqi nënshkruajke…juve Vuçiqi po ju lyp…nga unë po ik” .

Kurti me insistim p’e thotë në Kuvend për nënshkrim: kurrë Kosova me Serbinë asnjëherë nuk kanë nënshkru marrëveshje. Vetëm kanë inicializuar, nënshkrim s’ka pas. Zoti Kurti sot mundet me inicializu marrëveshjen. Kur ai po thotë ‘pse mua s’po më pranojnë (për nënshkrim) njëjtë qysh e kanë pranu Thaçin dhe Mustafën’ ai i pranum është”, ka thënë Memli Krasniqi, Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës në një intervistë ditë më parë në Kanal 10.

Sot, nesër a pasnesër, kjo është e konfirmuar nga BE, mundet me inicializu marrëveshjen. Njëjtë siç janë inicializu këto tjerat. Nga 32 ose 33 marrëveshje që janë arritur vetëm 10 janë inicializuar, tjerat kanë qenë dakordime. Njëjtë sikur marrëveshjet e Kurtit që u bëjshin zyrtare me nje tweet nga Borrelli e Lajçaku, ose deklaratë nga zyra e Borrellit. Këtu në esencë i kemi të pavërtetat e para të cilat duhet m’ei pa në kontekstin e përgjithshëm”, ka thënë mes tjerash kreu i PDK-së.

Të njëjtën gjë e ka thënë edhe Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri i cili krejt këtë e quan “manipulim”.

Nënshkrim të marrëveshjes nuk ka pasur asnjëherë në Bruksel. Është manipulative. Ka pasur vendosje të inicialeve; nuk është nënshkrim protokollar. Kosova ka ratifiku letërshkëmbim. Ne kemi ratifiku letërshkëmbim; Mogherini dhe Kryeministri, dhe e kemi përkthy në një obligim ndërkombëtar sepse BE ka qendrim neutral; vendosja e inicialeve është çështje krejt simbolike”, tha ditë më parë Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri në Debat Plus.

Kurti po kërkon nënshkrime zyrtare e protokollare. Asnjëherë Kosova dhe Serbia nuk kanë pasë nënshkrime protokollare zyrtare. Vendosja e inicialeve mundet me ndodh tash”, shtoi Haziri.

Zyrtari i LDK-së thotë se “në kuptimin bukfal vendosja e inicialeve” është veçse konfirmimin i tekstit e jo siç – “manipulativisht – pretendon Kurti; teksa shpjegon edhe rastin e ish-Kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa në vitin 2015 për çështjen e parimeve të Asociacionit të Komunave të banuara me shumicë serbe.

Ka qenë insistim i Mustafës për inicialet për shkak të kërkesës për verifikim në Gjykatën Kushtetuese. Sepse ka qenë i bindur se Serbia mundet me ik raportiit me Gjykatën Kushtetuese të Kosovës dhe ka këmbëngul me çdo kusht që letrën (e Mogherinit) m’e konfirmu për parimet, sepse në letër thuhet shumë qartë se nuk mund të ketë pushtet të tretë dhe të drejta ekzekutive. Edhe inicialet e Vuçiqit për shkak të Gjykatës Kushtetuese”, ka shpjeguar Haziri./Nacionale