Vuçiq nga Tirana për dinarin: Ne e çuam Petkoviqin në Bruksel për të diskutuar, pala tjetër nuk erdhi

Presidenti i Serbisë, Aleksander Vucic, në një konferencë për media nga Tirana pas përfundimit të takimeve në kuadër të Samitit për rajonin, është pyetur edhe për çështjen e dinarit dhe Rregulloren e re të Bankës Qendrore të Kosovës.

Vuçiq ka thënë se edhe ndërkombëtarët janë kundër një vendimi të tillë të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe se nuk po e kuptojnë pse pala kosovare po vepron në një mënyrë të tillë.

Shefi i shtetit serb ka thënë se Serbia është gjithmonë e gatshme për të biseduar, duke përmendur faktin se në Bruksel kishte udhëtuar shefi i ekipit negociator të Serbisë, Petar Petkovic, por jo edhe zëvendëskryeministri i Kosovës dhe shefi i ekipit negociator, Besnik Bislimi, raporton Gazeta Express.

Kreu i Serbisë ka thënë se shpreson që Kosova të veprojë në mënyrë të arsyeshme në të ardhmen, pasi sipas tij, vendimi për ndalimin e dinarit do të shkaktojë probleme për serbët që jetojnë në Kosovë.

Vuçiq ka thënë se Serbia do të gjejë mënyra për të përkrahur serbët që jetojnë në Kosovë dhe se do të kujdeset edhe për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon.