Vuçiq synon të bllokojë anëtarësimin e Kosovës në KiE, Kearns: BE me qasje të pabalancuar ndaj Serbisë

Deputetja britanike, Alicia Kearns, ka reaguar ndaj zëdhënësit të BE-së, Peter Stano, i cili ka refuzuar të komentojë thirrjen e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që të formojë një grup të veçantë për parandalimin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

Në pyetjen se a është Serbia duke e shkelur këtë marrëveshje, arritjen e së cilës e ka lehtësuar BE-ja, duke kundërshtuar pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, dha një përgjigje të përgjithësuar.

“Nuk dua të hyjë në komente të asaj se çfarë është thënë se çfarë dëshiron të bëjë presidenti Vuçiq. Unë mund të përsëris se, bazuar në pritjet e Bashkimit Evropian, si Serbia ashtu edhe Kosova duhet pa vonesa të tjera të nisin të zbatojnë marrëveshjen për të cilën ishin pajtuar para më shumë se një viti në Ohër. Kjo është me rëndësi të madhe. Kur bëhet fjalë për Këshillin e Evropës, çështjet e anëtarësimit i takojnë Këshillit të Evropës”, tha Stano.

Pas kësaj deklarate të Stanos ka reaguar deputetja britanike Kearns, e cila përmes një postimi në platformën “X”, ka akuzuar BE-në për qasje të pabalancuar në raport me Serbinë.

“BE-ja vazhdimisht po zgjedh të demonstrojë zero balancë kur bëhet fjalë për Serbinë”, ka shkuar Kerans.

Edhe ministri i Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka akuzuar Bashkimin Evropian se po tregohet i njëanshëm në raport me respektimin e marrëveshjeve mes Kosovës dhe Serbisë.

Përmes një postimi në platformën “X”, Krasniqi ka thënë se BE nuk komenton kur Serbia shkel marrëveshjet e Brukselit si në rastin e themelimit të task-force për të parandaluar anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, por ndryshe ndodh me Kosovën.

“Kur Serbia përsërit shkeljet e marrëveshjeve, BE-ja preferon të mos hyjë në detaje dhe të përmbahet nga çdo koment i mëtejshëm. Por kur bëhet fjalë për Kosovën, komentet mund të jenë po aq specifike sa komentimi i një vendimi të qeverisë për shpronësimin e tokës, dhe bëhet me gisht. Pse?”, ka shkruar ministri Krasniqi në platformën “X”.

Bashkimi Evropian tha gjatë sitës se nuk dëshiron të komentojë paralajmërimet e Serbisë se do të punojë për të parandaluar anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Peter Stano, u pyet nëse veprime të tilla të Serbisë përbëjnë shkelje të marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit të raporteve – të arritur një vit më parë – por, ai nuk deshi të komentojë.

“Nuk dua të hyjë në komente të asaj se çfarë është thënë se çfarë dëshiron të bëjë presidenti Vuçiq. Unë mund të përsëris se, bazuar në pritjet e Bashkimit Evropian, si Serbia ashtu edhe Kosova duhet pa vonesa të tjera të nisin të zbatojnë marrëveshjen për të cilën ishin pajtuar para më shumë se një viti në Ohër. Kjo është me rëndësi të madhe. Kur bëhet fjalë për Këshillin e Evropës, çështjet e anëtarësimit i takojnë Këshillit të Evropës”, tha Stano.

Qeveria e Serbisë ka formuar grupin punues që është thënë se do të merret me koordinimin e aktiviteteve të organeve shtetërore për të parandaluar anëtarësimin eventual të Kosovës në organizatën e Këshillit të Evropës.

Grupi punues u formua me urdhër të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, gjatë seancës të mbajtur më 5 prill në Qeverinë serbe.

Neni 4 i Marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit, që Kosova dhe Serbia arritën në shkurt të vitit 2023, thotë se “Serbia nuk do të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare”.

Kosova synon të anëtarësohet në Këshillin e Evropës në muajt në vijim, pasi javën e kaluar, Komiteti për Politikë dhe Demokraci i kësaj organizate e miratoi raportin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, i cili rekomandoi se ajo i ka plotësuar kushtet për t’u bërë anëtare e plotë e Këshillit të Evropës.

Asambleja Parlamentare pritet të votojë për anëtarësimin e Kosovës në prill, dhe nëse ajo jep dritën jeshile, atëherë fjalën përfundimtare duhet ta japë Këshilli i Ministrave të Këshillit të Evropës në maj.