Vuçiqi: Kurti insiston në njohjen e Kosovës si kusht për mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë

Aleksandar Vuçiq, president i Serbisë, ka komentuar mos lejimin e zgjedhjeve të Serbisë në territorin e Republikës së Kosovës.

Gjatë qëndrimit në Samitin e Liderëve për ndryshimet klimatike, Vuçiqi ka bërë një pretendim, duke thënë se Perëndimor thotë se nuk ka mundësi t’i bëjë presion kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

“Perëndimi do të thotë se nuk ka mundësi për t’i bërë presion Kurtit dhe do të lëshojë një deklaratë. Tashmë ka pasur një deklaratë nga zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, dhe kaq”, tha Vuçiqi në Dubai, raporton Radio Evropa e Lirë.

“Kurti insiston ekskluzivisht në njohjen e pavarësisë së Kosovës si kusht për mbajtjen e zgjedhjeve.” – vazhdoi Vuçiqi.

Tutje, ai ka deklaruar se Serbia duhet ta njohë Kosovën që serbët të marrin pjesë në zgjedhje.

“Ne duhet ta njohim Kosovën në mënyrë që serbët të marrin pjesë në zgjedhje. Pikë. Asgjë më shumë dhe asgjë më pak. Dhe, këtë e dinë të gjithë në Serbi dhe në Evropë. Është mirë që ata do të reagojnë për këtë, por ne nuk do të kemi asgjë nga ai reagim.” – tha Vuçiq.