Walker: Nëse s’do të ndodhte Reçaku, Kurti jo që s’do të ishte kryeministër, por do të ishte në burg

Ish-shefi i Misionit Vëzhgues të OSBE-së në Kosovë gjatë luftës, William Walker ishte mbrëmë në emisionin “ZEN me Artan Behramin” në T7, ku foli për jetën e tij, marrëdhëniet me politikanët e Kosovës dhe pashmangshëm edhe për masakrën e Reçakut.

Walker tha se Reçaku nënkuptoi më vonë çlirimin dhe pavarësinë. Për atë fshat të vogël të Shtimes dhe banorët e tij, diplomati amerikan tha se ka “simpati shumë të madhe”.

“Po për fshatin Reçak, për banorët e fshatit Reçak kam një simpati shumë të madhe, kam një admirim të madh për ta. Fakti se ata kaluan nëpër atë se kaluan më 15 janar 1999, se çfarë u ndodhi burrave e djemve të fshatit, çfarë nënkuptonte kjo për Kosovën, ndryshoi gjithçka. Dhe tani kur shkoj në Reçak, kjo përfaqëson edhe atë se çfarë ka bërë Kosova në 25 vitet e fundit. E dini, tash banorët e Reçakut qeshin, fëmijët e tyre shkojnë në shkollë, ata tashmë po jetojnë jetën e pjesës tjetër të Kosovës, e cila ka lëvizur në një drejtim ekstremisht pozitiv. Në një mënyrë unë akoma ndjej atë se çfarë ky fshat ka vuajtur dhe vuajtjen që e përfaqësonte për gjithë popullatën shqiptare të Kosovës para vitit 1999 dhe 2000. Se vuajtjet e tyre nënkuptuan dhe ishin të rëndësishme edhe për atë se çfarë ndodhi pas vitit 2000-çlirimi, pavarësia, Republika e Kosovës. Unë me të vërtetë besoj, jo sepse isha i përfshirë vetë në të, por besoj vërtet se vëmendja e botës, vëmendja e gazetarit botëror për disa javë e muaj më pas, më vonë edhe lufta, ishte tejet dramatike. Gjithçka ndodhi si rezultat i asaj çfarë ndodhi në Reçak, më 15 janar 1999”, tha Walker.

Ai tha se sikur të mos ndërkombëtarizohej lajmi për masakrën e Reçakut, Albin Kurti sot njo vetëm që s’do të ishte kryeministër, por, siç tha ai, “me gjasë do të ishte diku në një burg serb”.