Zëdhënësja e BE-së në Kosovë: Rusia përmes propagandës po tenton të prish rrugën e integrimit të Ballkanit Perëndimor

Ballkani Perëndimor po përballet me dezinformata nga Rusia, përmes të cilave kjo e fundit përpiqet të pengojë integrimin e tij në Bashkimin Evropian. Zëdhënësja e Bashkimit Evropian në Kosovë, Ioanna Lachana thotë se në Kosovë, Rusia përpiqet të përhap narrativa pro-Kremlinit dhe të hedh çdo gjë që është pro-perëndimore në një dritë negative.

Sipas saj, në momentin që kjo propagandë përsëritet, mund të ketë njerëz që fillojnë të ushqejnë ndjenjat antiperëndimore.

“Nëse informacioni manipulohet, preket edhe diskursi ynë publik. Dhe Ballkani Perëndimor, natyrisht, nuk bën përjashtim. Edhe këtu shohim ndërhyrje, veçanërisht nga Rusia, e cila po përpiqet të prishë rrugën e partnerëve të Ballkanit Perëndimor, rrugën e tyre në BE dhe rrugën e integrimit në BE. Sigurisht, askush nuk mund ta luftojë këtë fenomen i vetëm. Asnjë vend nuk mund ta luftojë i vetëm këtë fenomen. Ne të gjithë duhet të punojmë së bashku, të gjitha vendet së bashku, komuniteti i mbrojtësve dhe sigurisht të gjithë të përfshirët”, thotë ajo.

Për strategjinë e re të SHBA-së për të luftuar dezinformimin në Evropë, veçanërisht në Ballkan, Lachana thotë se përfshinë mbështetjen e demokracive, mbështetjen e mediave të lira si dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut.