Zëdhënësja e EULEX-it: Nëse kërkon Policia e Kosovës, jemi të gatshëm për ndërhyrje

Zëdhënësja e EULEX, Joanna Lachana ka folur për emisionin “Ballkan” lidhur me situatën e tensionuar mes Serbisë dhe Kosovës.

Lachana bëri të ditur se EULEX-i vazhdon të jetë vigjilent dhe sipas saj, është duke monitoruar nga afër të gjitha zhvillimet që mund të ndikojnë në sigurinë e Kosovës.

“Situata e sigurisë në veri është e qetë, por e tensionuar. Njësia jonë policore e specializuar, e cila përbëhet nga 1058 policë kryen kalkulimet e përditshme në veri të Kosovës që ta kemi një pasqyrë të qartë të situatës“, ka thënë ajo në TV Abc news.

Si reaguesi i dytë i sigurisë në Kosovë, ajo ka thënë se EULEX ka gjithashtu koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe me KFOR-in.

Lachana bëri me dije se nëse kërkohet nga Policia e Kosovës, EULEX është i gatshëm të veprojë si reagues i dytë i sigurisë për të ndihmuar në uljen e tensioneve dhe mbrojtjen e të gjithëve nga çdolloj kërcënim, pa marrë parasysh përkatësinë etnike, moshën apo gjininë.

“Forca jonë e reagimit ët shpejtë është në gatishmëri 24 orë në ditë në Mitrovicë dhe ka një kohë reagimi prej 15 minutash. Nëse është e nevojshme gjithashtu misioni mund të zbarkojë një njësi policore të specializuar rezerve për t’i shtuar forcat e saj në terren dhe kapacitetin e saj operacional. Ne do bëjmë atë që është e nevojshme për ta mbështetur stabilitetin e Kosovës dhe për të kontribuuar në sigurinë e popullatës së saj“, ka deklaruar Lachana.

EULEX, KFOR-i dhe Policia e Kosovës, shtoi Lachana, kryejnë stërvitje të rregullta të përbashkëta